Ndërron jetë kritiku e teoricieni amerikan i letërsisë Harold Bloom (1930-2019)

16.10.2019 13:37:54
Ka ndërruar jetë kritiku e teoricieni amerikan i letërsisë, Harold Bloom (Harolld Bllum), autor i nja 40 librave për letërsinë. Ka shkruar edhe për religjionin. Gjithashtu një roman.
Libri i tij më i njohur, “The Anxiety of Influence” (1973) [Ankthi i ndikimit), është përkthyer në 45 gjuhë.
Libri i tij best-seller “How to Read and Why” (2000) [Si dhe përse të lexojmë] është përkthyer në shqip
Nga Muhamet Hamiti*
Ndër librat e tij më të njohur janë “The Western Canon” (Kanoni perëndimor) dhe “Shakespeare: The Invention of the Human” (Shakespeare: Shpikja e njerëzores), që i botoi në vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar. Te “Kanoni perëndimor” shkruan për 26 autorë qendrorë të letërsisë perëndimore. Shakespeare-in Harold Bloom-i e ka vlerësuar deri në idolatri, si Zot. Në shkrimet e veta, Bloom-i ka afirmuar superioritetin e Bardit anglez, të Chaucer-it, Kafka-s, e të shkrimtaravë të tjerë perëndimorë në gjirin e letërsisë së përgjithshme.
“Ankthi i ndikimit”, titull vepre dhe koncept, trajton konfliktin edipal të shkrimtarit me pararendësit e tij në gjakimin e vet për të krijuar vizionin poetik autentik.
Profesori Bloom ka dhënë mësime letërsie në Universitet për 64 vjet (1955-2019), deri të enjten e kaluar, më 10 tetor 2019, katër ditë para se të vdiste në moshën 89 vjeçare.
Ai mëtonte se vepra letrare nuk është dokument shoqëror. Vepra nuk duhet lexuar për përmbajtje politike apo historike, por thjesht për kënaqësinë e vështirë estetike, mendonte kritiku e profesori i famshëm. Apo famëkeq? Një pjesë e publikut ketrar e ka parë të tillë – famëkeq. Ka qenë figurë letrare kundërthënëse gjithësesi.
Si për ta dëshmuar teorinë e tij për ‘ankthin e ndikimit’, Harold Bloom-i ka qenë dishepull i kanadezit Northrop Frye (Fraj), autorit të “Anatomy of Criticism “ (1957) [“Anatomia e kritikës”], para se t’i ndante udhët me të.
Kritiku, teoricieni letrar e profesori amerikan i letërsisë kishte kundërshtuar ahistoricizmin e Thomas Stearns Eliot-it dhe të Kritikës së Re Amerikane të mesit të shekullit të kaluar, por edhe shkollat post-strukturaliste (Historicizmin e Ri, feminizmin, Marksizmin, studimet kulturore). Në një kohë, vetë Bloom-i është parë i lidhur me Shkollën letrare e filozofike të Dekonstruksionit.
Bloom-i është paguar shumë për librat e vet, një pjesë e të cilëve janë bërë bestsellerë.
Prej botuesit ka marrë paradhënie prej 1.2 milionë dollarësh për librin e tij “Genius: A Mosaic of One Hundred Exemplary Minds” (2002) [Gjeniu: Mozaik i njëqind mendjeve shembullore].
Kritiku amerikan ka shkruar edhe në vitet e pleqërisë së thellë. Më 2011 ka botuar librin “Anatomy of Influence” [Anatomia e ndikimit], që e kishte quajtur para kohe ‘këngën e vet të mjellmës’.
Sivjet ka botuar dy libra: “Macbeth: A Dagger of the Mind” [Makbethi: kama e mendjes] dhe “Possessed by Memory: The Inward Light of Criticism” [I kapluar kujtese: drita e brendshme e kritikës”], një lloj libri i kujtimeve letrare. Siç e thoshte vetë, Bloom-i dinte përmendësh krejt Shakespeare-in, por edhe “Parajsën e humbur” të John Milton-it, gjithë poezinë e William Blake-ut, e të tjera vepra.
Harold Bloom ka lindur më 1930 në Nju-Jork. Prindërit e tij çifutë ishin me prejardhje nga Evropa.
*Muhamet Hamiti është profesor i letërsisë angleze dhe i teorisë së letërsisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.