Ndeshja e Messit, por heroi është Paco Alcacer

05.11.2017 00:08:03

Ishte ndeshja e Lionel Messit, që zbriste në fushë për herë të 600-ë me fanelën e Barcelonës, por heroi i takimit rezultoi një tjetër futbollist. I aktivizuar si titullar, pas shumë pankinash të koleksionuara, Paco Alcacer shënoi 2 herë në portën e Seviljas dhe i dha fitoren 2-1 Barcelonës.

Katalanasit gjetën avantazhin që në minutën e 23-të, me anë të ish sulmuesit të Valencias, pas një gabimi të mbrojtjes së Sevilljas, por miqtë barazuan në fillimin e pjesës së dytë, me anë të Pizarros.

Barazimi zgjat shumë pak, sepse vetëm 6 minuta pas golit të Sevilljas, Paco Alcacer shënon golin e dytë personal dhe atë me vlerë 3 pikëshe për Barçën.

Pas kësaj fitoreje, Barcelona shkon në kuotën e 31 pikëve, në 11 takime të luajtura dhe rikthen edhe njëherë diferencën prej 4 pikësh me ndjekësen më të afërt, Valencian.