Ndeshjet e së Shtunës në Supersport

25.02.2017 12:17:05

Sevilja është skuadra e parë nga kryesueset që zbret në fushë, për Javën e 24 të Primera Division dhe ekipi i Sampaolit të paktën për një ditë ka shansin të prekë kreun, në kuotë të njëjtë pikësh me Realin e Madridit. Në mesjavë Valencia i bëri një favor të jashtëzakonshëm kampionatit spanjoll, por sidomos dyshes Barca – Sevilja, teksa mposhti brenda në Mestalla skuadrën e Zinedine Zidane. Në orën 16:15 “bardhekuqtë” do të luajnë “derbin e Andaluzisë” ndaj rivalëve të përjetshëm të Betisit, me Seviljen që paraqitet në Stadiumin Benito Villamarin pas 4 fitoreve në 5 ndeshjet e fundit jashtë fushe. Fitoret e Granadës në javët e fundit e kanë ngritur ndjeshëm stekën në “zonën e ftohtë”, kështuqë skuadrat e pjesës së poshtme kanë filluar të vihen në lëvizje. Një prej këtyre ekipeve është edhe Real Betis, që nën drejtimin e Victor Sanchez po kalon momente të vështira dhe nuk njeh fitore në 5 javët e fundit, madje “bardhjeshilët” gjatë kësaj periudhe kanë shënuar vetëm 2 gola gjithsej, duke rrëshqitur në vendin e 15. Sevilja do të kalojë një test të vështirë në aspektin fizik, pasi skuadra e Sampaolit luajti vetëm tre ditë më parë në Kupat e Evropës. Padyshim kjo përballje është një ndër më të egrat në Ligën Spanjolle, sidoqoftë “bardhekuqtë” favorizohen nga historia, pasi Sevilja ka fituar 6 nga 7 ndeshjet e fundit ndërmjet tyre, për më tepër pa pësuar as gol.

Bundesliga ofron klasiken Bayern Munchen – Hamburg, një ndeshje tepër e rëndësishme për të dy klubet, pasi përballë do të vihen rekordmenët e futbollit gjerman me ekipin e vetëm që ka luajtur në cdo edicion, në elitën e futbollit të klubeve të këtij vendi. Në orën 15:30 gjithsesi trajneri Ancelotti do të bëj cmos të sigurojë 3 pikët e para në Allianz Arena, për vitin 2017, sidomos pas polemikave dhe debateve të shumta, që nxiti goli i shënuar nga Leëandoëski në 96′, në Olympiastadion ndaj Hertës. Pavarësisht formës së shkëlqyer të dyshes Mavraj – Papadopoulos në qendër të mbrojtjes, miqtë rrezikojnë ndjeshëm, pasi në 6 vizitat e fundit Hamburgu është larguar nga Allianz Arena me plot 36 gola të pësuar. Për shkak të tekave të kalendarit 4 nga 5 ndeshjet e këtij viti Bajerni i ka zhvilluar larg Bavarisë, megjithatë gjërat për Dortmundin nuk është se kanë ndryshuar. Skuadra e Thomas Tuchel nuk ka ditur të përfitojë dhe distanca me kreun është plot 13 pikë. Verdhezinjtë janë shfaqur me shumë luhatje larg Westfalisë, aq sa Borusia ka fituar vetëm 1 nga 6 ndeshjet e fundit jashtë fushe, kështuqë Freiburgu në “Schwarzwald – Stadion” përbën vërtet një kërcënim serioz, ndërkaq takimi i fundit i ditës në Gjermani do të luhet në kryeqytet, në orën 18:30, kur Hertha do të synojë rrokadën në “zonën evropiane”, pikërisht me Eintracht-in e Frankfurtit.

Në Itali kampionët në fuqi pritet të sigurojnë fitoren e shtatë radhazi në kampionat, teksa do të presin në orën 20:45 në “Juventus Stadium” Empolin, ndërsa më herët Napoli do të masë forcat në San Paolo me Atalantën, skuadrën surprizë të këtij sezoni. “Të kaltërit” kanë shënuar 60 gola në 25 javë kampionat, sidoqoftë në orën 18:00 vendasit i pret një detyrë tepër e vështirë, ndaj një ekipi që ka grumbulluar 19 pikë në 8 javët e fundit dhe ka vetëm 6 pikë më pak në klasifikimin e përgjithshëm krahasuar me skuadrën e Sarrit. Hapësirë në Supersport si zakonisht do të ketë edhe për Le Championnat, me kampionatin francez që ofron përballjen e orës 17:00, kur kryesuesit e Monakosë do të vizitojnë në Bretanjë Guingamp, kundërshtar që në fazën e parë e bllokoi klubin nga Montecarlo brenda në Principatë në një barazim 2-2./supersport.al/