Flamur Beqiri: Ndikimi i urbanizmit në “Kroin e Bardhë”

27.09.2017 19:29:19

Në lagjen Dardania të Prishtinës, në mes të banesave të Solidaritetit, Kurrizit dhe Banesave të Bardha, është Kroi i Bardhë!

Thuhet se Kroi i Bardhë, si i tillë, rrjedhë me dekada e ndoshta edhe ndonjë shekull në vendin e njejtë me ndryshim të rrallë të vend`rrjedhjes. Në të kaluarën, banorët e lagjes së Kroit të Bardhë janë përkujdesur në forma të ndryshme që kroi të kishte rrjedhje të vazhdueshme, herë me gypa të dheut e herë me të hekurit që kalimtarët, të cilët kalonin pranë Kroit të kishin qasje të lehtë për shuarje të etjes. Me gjithë thatësirat e stinës së verës, sa mbahet mend, Kroi i Bardhë kurrë nuk ka shterruar, bile është përdorur edhe si burim për ujitje të kopshteve të perimeve për banorët e shtëpive për`rreth, ndërsa, ata pranë kroit kanë pas ndërtuar edhe koritën e drunjtë për shuarjen e etjes të bagëtive, të shumta, në këtë lagje. Deri sa nuk është urbanizuar kjo lagje, banorët e lagjes Ulpiana, e më vonë ata të lagjes Lakrishte dhe Dardania shfrytëzonin hapësirën pranë Kroit të Bardhë për pushim dhe piknik. Me urbanizimin e plotë të lagjes, shtëpitë për`rreth Kroit të Bardhë u dislokuan dhe rrjedhimisht kujdesi ndaj Kroit të Bardhë u zvogëlua. Kroi i Bardhë i bëri ballë edhe viteve të moskujdesit total të qeverisjve Serbe të Komunës së Prishtinës, rridhte me zhurmën e vet qetësuese në pritje të atyre të cilët i bekojnë e ua dinë vlerën, edhe, krojeve! Qeveria Komunale e Prishtinës kur Kryetar ishte z. Ismet Beqiri, në fillim të vitit 2003, ndërtoi një fontanë të vogë nga rrjedha e Krojit të Bardhë, me hapësirë për pushim dhe ulëse rreth e rreth Kroit me disa kroje të vogla! Me ardhjen në pushtet të VV-së, në Komunën e Prishtinës, respektivisht z. Shpend Ahmeti, mirëmbajtja e krojeve dhe fontanave është minimale ndërsa Kroi i Bardhë në Lagjen Dardania, ka degraduar deri në masën sa janë krijuar kushtet për zhvillimin e Florës, ulëset pranë Kroit janë dëmtuar dhe hapësira për pushim është shëndërruar në deponi të shisheve të plastikës, e gjatë verës, me temperatura të larta, vendi kundërmon! E si për inati, uji vazhdon të rrjedhë,…! Për më tepër shihni foton më poshtë, ajo flet vet!