Ndodh tragjedia për 20 metra tokë

04.05.2019 08:57:18

Një përplasje me lopata e vegla të tjera pune mes kushërinjve në fshatin Sadovinë të Çerkezëve të Komunës së Vitisë, la të vdekur 59 vjeçarin Muhamet Ismajli. Lëndime trupore nga kjo rrahje që u shndërrua në tragjedi, pësoi edhe gruaja e 59 vjeçarit, Kimetja.

Rrahje masive ndodhi mëngjesin e djeshëm mes kushërinjve me mbiemrin Ismajli në fshatin Sadovinë e Çerkezëve. Përleshja për tokë rezultoi me një të vdekur e tre të lënduar, në mesin e tyre edhe një grua. Aty u shkëmbyen grushte e shqelma të shoqëruara edhe me mjete të forta si drunj e vegla pune (lopata).

Deri te vrasja e rëndë erdhi për shkak të rreth 20 metrave tokë që viktima Muhamet Ismajli kërkonte nga kushëriri i tij Ismeti (një nga të dyshuarit për këtë vrasje). Këto metra tokë viktima i kërkonte për t’i shfrytëzuar si rrugë në mënyrë që të ketë rrugëdalje në fshat.

Për ta parandaluar konfliktin, zyrtarë nga Komuna e Vitisë ishin munduar të negocionin me pronarin e tokës në mënyrë që të gjendej një zgjidhje. Por sipas nënkryetarit të kësaj komune Hasan Aliu, pronari i tokës (Ismeti), nuk ishte i interesuar që të bënte kompromis.

Për shkak të kësaj toke Muhamet Ismajli 59 vjeçar mori lëndime të rënda trupore të cilave u mbijetoi vetëm pak orë. Pas ndihmës së parë që mori në spitalin rajonal të Gjilanit ai u dërgua për trajtim në QKUK ku edhe ndërroi jetë. Gruaja e tij Kimetja e përfshirë në rrahje po ashtu ka pësuar lëndime trupore, mësohet se gjendja shëndetësore e saj është stabile.

Për këtë rast policia ka arrestuar gjashtë persona të gjithë familjarë mes vete. Gazeta Express mëson emrat, mbiemrat dhe moshën e secilit.

Bëhet fjalë për: Fisnik Ismajli 20 vjeç, Besmir Ismajli 33 vjeç, Samet Ismajli  41 vjeç, Ismet Ismajli 50 vjeç, Hazir Ismajli 58 vjeç dhe Edmond Ismajli 29 vjeç. Të dyshuarve Gjykata Themlore e Gjilanit u ka caktuar nga një muaj paraburgim.

Dy prej gjashtë personave të arrestuarve nga përleshja fizike kanë pësuar lëndime trupore. Për gjendjen e tyre shëndetësore flet doktori i Spitalit të Gjilanit në repartin e Ortopedisë, Musa Jashari.

“Aktualisht janë dy persona të hospitalizuar, gjendja e tyre shëndetësore është e mirë. Bëhet fjalë për lëndime të lehta trupore. Lëndimet kanë ardhur si pasojë e një përleshjeje fizike”, tha Jashari.

Ekipi i Gazetës Express ka provuar të flas me familjarët e viktimës, aty ku edhe bëhej e pamja, gjatë ditës së sotme në Sadovinë të Çerkezëve, por askush nuk u prononcua për gazetën.

Madje, familjarët u nervozuan kur panë gazetarët në oborrin e shtëpisë.

Ndërsa, një fqinj i tyre tha se për këtë tokë kusherinjtë janë rrahur mes vete edhe në të kaluarën.

Prona që në të kaluarën ishte pronë e një serbi ishte blerë nga Ismet Ismajli ndërsa viktima Muhamet Ismajli kërkonte disa metra tokë prapa shtëpisë në mënyrë që të ketë rrugëdalje në rrugën kryesore.

Hasan Aliu nënkryetar i komunës së Vitisë tregon për Gazetën Express, se personalisht vetë ai ka tentuar që t’i ndihmojë kusherinjtë në gjetjen e një zgjidhjeje për këtë tokë, por sipas tij Ismeti që kishte blerë tokën ishte kategorikisht kundër për të bërë një zgjidhje.

Ndërsa, Aliu, viktimën Muhamet Ismajlin e përshkruajti si njeri të mirë i cili sipas tij edhe mundohej që të bënte një zgjidhje për dy palët lidhur me këtë tokë.

“Rasti ka ndodhur për një kontest pronësor, një pronë e një serbi që e ka blerë pala që e ka dëmtuar viktimën, sipas shërbimeve të kadastrit ai e ka pronën në emër të tij dhe kërkesa e të dëmtuarit ka qenë gjithmonë për me ja lëshuar një sipërfaqe pranë shtëpisë së tij”, tha Aliu.

Ai shtoi se komuna ka ndërmjetësuar që palëve t’u bëhej një zgjidhje por pronari i tokës nuk kishte qenë i interesuar.

“Bashkë kemi qenë me ndërmjetësuar me arrit një marrëveshje që ata me vazhdu jetën rëndom si të gjithë qytetarët. S’kemi arrit atë marrëveshje, kemi tentuar edhe për herën e dytë, nuk na ka pranu pala e cila e ka blerë tokën dhe fatkeqësisht dje e kemi humb një qytetar të Vitisë për një kontest pronësor”, tha Aliu.

I pyetur se pse pronari i tokës nuk dëshironte të bënte kompromis, për t’u parandaluar vrasja. Aliu u përgjigj:

“ Pronari thoshte: unë e kam ble, e ka ble edhe gjyshi im para disa viteve. Kam bërë humbje të madhe të parave. Arsye që për mua në krahasim me një jetë njeriu nuk janë arsyetime”, tha ai.

Shtoi se kërkesa e viktimës ishte për 20 metra tokë për rrugë.

“Mirëkuptimi nuk është has për shkak se janë rrahur dy të rinj për tokë edhe më herët dhe dje ka përfunduar me fatalitet”, përfundoi ai.

foto arkivi