Ndotja e ajrit shqetëson qytetarët dhe mjekët, por jo autoritetet

09.12.2017 15:40:38

Përqëndrimi i lartë i grimcave kancerogjene të ajrit në shumë qytete të vendit shqetëson qytetarët por jo autoritetet. Në Shkup, Kumanovë, Tetovë, Veles dhe Manastir përqëndrimi i grimcave PM10 dhe PM 2.5 është disa herë më i lartë nga sasia e lejuar. Ndonëse janë paralajmëruar masa të ndryshme për uljen e nivelit të ndotjes, deri më sot ende nuk janë ndjerë rezultatet e para. Ndërkohë, nga Enti hidrometeorologjik nuk paralajmërojnë intenzitet të lartë të rreshjeve të shiut ose borës që do të ndihmonte në pastrimin e ndotjes së ajrit. Madje, sinoptikët paralajmërojnë temperatura pozitive për javën që vjen.

“Reshjet e shiut tashmë kanë filluar në Llazaro Pole, rreshje shiu kemi edhe në Mavrovë, në orët e pasditës vransirat do të rriten edhe në perëndim të vendit dhe rreshjet e shiut do të jenë më të shpeshta ndërsa në pjesët veriore të njejta do të shndërrohen në borë. Gjatë ditës së nesërme temperaturat do të lëvizin prej 3 deri në 10 gradë celsiuz, në mëngjes prej – 3 deri në 4 gradë celsiuz. Nga e hëna do të nis periudha me erë ga jugu, do të jetë më ngrohtë, temperaturat do të rriten gradualisht, nga e mërkura do të kemi temperatura pozitive edhe në mengjes dhe mot të mirë- deklaroi : Boris Sekiraski, entihidrometorologjik.

Për tu përballur më lehtë me ndotjen e ajrit, mjekët japin këshilla nga më të ndryshmet ku mes tjerash rekomandojne: përdorim të ushqimit të shëndetshëm dhe vitaminës C, stërvitjet të kryhen në parqe dhe jo në ambiente përreth rrugëve dhe atë herët në mengjes ose vonë në mbrëmje si dhe të shmanget ecja në këmbë ose me biçikletë në rrugët e mbingarkuara në trafik ku niveli i ndotjes është më i lartë.