Ndryshimi i kufijve i papranueshëm, mund të ketë dominoefekt

28.07.2018 14:24:55

Kohët e fundit në opinion është rikthyer ideja e ndarjes së pjesës veriore të Kosovës ose shkëmbimi i asaj pjese me Luginën e Preshevës. Ndërsa shqiptarët në Maqedoni e vlerësojnë si të rrezikshme një ide të tillë, pasi mund të ketë dominoefekt. Ata thonë se ndarja e Kosovës do t’i frymëzonte grupet nacionaliste në vendet e rajonit për të kërkuar bashkim me shtetet tjera, shkruan “Zëri”.

Deputeti i Kuvendit të Maqedonisë nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Artan Grubi, ka thënë për “Zërin” se ndarja e Kosovës është e papranueshme, pasi mund të ketë efekt edhe në vendet tjera në rajon.

“Opsioni i ndarjes së Kosovës ose ndryshimi i kufijve është i papranueshëm në Ballkanin Perëndimor sepse mund të ketë dominoefekt, në veçanti në një rajon që është me përkufizime të tilla multietnike, multikulturore, multifetare. Dhe një skenar i tillë mund të sjellë pasoja të paparashikueshme e t’i tejkalojë ato të viteve të ’90-ta. Për këtë është prononcuar disa herë edhe kryetari Ali Ahmeti”, ka deklaruar Grubi.

Ai ka thënë se tema e ndryshimit të kufijve u shkon përshtati rrymave destruktive, ndërsa duke folur për situatën në Maqedoni, ai ka thënë se shqiptarët janë të vendosur për integrimin e këtij shteti në strukturat euroatlantike.

“Shqiptarët janë të përcaktuar për integrimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Jemi në hapat përfundimtarë në realizim të Marrëveshjes së Prespës për çështjen e emrit… Kjo temë i shkon për dobi rrymave destruktive në Evropën Juglindore, të cilat nuk duan të shohin paqe, stabilitet dhe siguri”, ka shtuar Grubi.

Në fund ai ka thënë se Serbia duhet ta njohë realitetin e ri të krijuar në Evropën Juglindore. “Po deshi të bëhet pjesë e Evropës së Bashkuar duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës, të vendosë marrëdhënie diplomatike dhe të përkufizojë vijën kufitare”, ka përfunduar Grubi.