NË APEL, PËR TRE MUAJ U ZGJIDHEN AFËR TRE MIJË LËNDË

18.04.2017 13:40:14

Gjykata e Apelit e Kosovës gjatë tre mujorit të parë te vitit 2017 ka kryer gjithsej 2 761 lëndë.

Prej tyre 899  në lëndë civile, 406 penale të përgjithshme, 19 penale për te mitur, 178 penale – krime të rënda, 238 penale të ndryshme, 633 ankesa kundër paraburgimeve, 108 lëndë administrative, 51 ekonomike dhe 229 kundërvajtje.

Këto të dhëna janë publikuar sot nëpërmjet një komunikate për media lëshuar nga Zyra për Informim e Gjykatës së Apelit.

“Në bazë të kësaj del se secili gjyqtar, prej 34 sa ka aktualisht kjo gjykatë, ka kryer mesatarisht nga 81 lëndë  në tre muaj ose nga 27 në muaj. Pavarësisht këtij angazhimi, numri i lëndëve të pa zgjidhura është 12 025, shifër kjo tejet e lartë. Kjo ngase Gjykata e Apelit, e ka filluar vitin 2017 me 11 206 lëndë te pa kryera ndërsa gjatë tre mujorit të parë të  viti 2017 kanë ardhur edhe 3 520 lëndë te reja”, thuhet në njoftim .

Gjykata e Apelit, sipas të të njëjtit  njoftim, konsideron se e vetmja mënyrë për ta zbutur këtë gjendje është shtimi i gjyqtarëve dhe stafit mbështetës.

“Aktualisht ky institucion është ne pritje te dekretimit edhe të 4 gjyqtarëve, ndërsa janë duke u zhvilluar procedurat e rekrutimit për 5 bashkëpunëtor profesional dhe 10 zyrtar ligjor. Megjithatë edhe ky numër është i pa mjaftueshme në krahasim me numrin e madh të lëndëve  të pa zgjidhura. Ndaj është e domosdoshme që te shtohet numri i gjyqtarëve të paktën edhe për 15, si dhe të dyfishohet numri i bashkëpunëtorëve dhe zyrtarëve ligjor”, thuhet në njoftimin e Apelit.