Në Austri jetojnë rreth 1 mijë xhihadistë potencial

22.01.2017 14:54:44

Autoritetet austriake tërheqin vërejtjen se në Austri mund të ektë rreth 1 mijë xhihadistë

Në Austri terroristët në çdo moment mund të ndërmarrin sulme, kanë tërhequr vërejtjen ekspertët e sigurisë, e arsye për frikë paraqet fakti se në këtë vend jetojnë rreth 1 mijë xhihadistë potencial.

Shërbimi për mbrojtjen e kushtetutës dhe për luftë kundër terrorizmit ka vlerësuar se në veçanti në Vjenë ekziston një skenë problematike islamike.

Askush nuk e di me saktësi se sa ithtarë të Shtetit Islamik janë me të vërtetë të gatshëm që të ushtrojnë dhunë në Austri.

Sipas të dhënave të shërbimeve austriake, rreth 295 persona nga Austria kanë udhëtuar gjatë viteve të fundit drejtë Sirisë, për të luftuar në radhët e Shtetit Islamik. Rreth 90 prej tyre janë kthyer dhe gjenden nën mbikëqyrjen e forcave të rendit.

Në mesin e personave, të cilët nga Austria kanë shkuar për të luftuar në Siri, shumica prej tyre janë me prejardhje çeçene, më saktësisht 120 sosh, ndërsa në vendin e dytë rreshtohen boshnjakët, pasi që 40 prej tyre i janë bashkuar Shtetit Islamik nga Austria.