Në Berlin, Shkupit iu bën të qarta detyrimet për ecjen drejt BE-së

30.04.2019 18:47:22
Përcaktimi ligjor i statusit të Prokurorisë Speciale Publike paraqet një nga shtyllat kryesore nga e cila do të varet vendimi i Brukselit sa i përket caktimit të datës për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, thonë njohësit e marrëdhënie ndërkombëtare. Megjithatë, ata theksojnë se insistimi i BE-së që vendet e Ballkanit Perëndimor bashkërisht të ecin drejt familjes evropiane, mund të ngadalësojë procesin integrues të vendit.

Këto reagime vijnë pas mbajtjes së Samitit të Berlinit, që u organizua nga kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Analisti politik, Nikolla Dujovski, për Radion Evropa e Lirë thotë se Samiti i Berlinit dha porosi të qarta se cilat janë obligimet që duhet t’i kryejnë vendet e rajonit.

“Për Maqedoninë e Veriut më e rëndësishme mbetet çështja e Prokurorisë Speciale Publike. Ne ngecim në këtë pjesë. Kur do të definohet çështja e Prokurorisë Speciale Publike, atëherë vlerësoj se reformat e përgjithshme në sistemin e drejtësisë do të marrin rrjedhën e duhur”.

“Ndërkohë në pjesën e reformave që kanë të bëjnë me sistemin e sigurisë jemi mirë, por ngecje serioze Maqedonia e Veriut shënon në lëmin e ekonomisë, sistemit ët drejtësisë dhe mediat. Kjo mund të paraqes barrierë serioze për integrimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian”, thotë Dujovski.

Ndërkaq, kryetari i Këshillit Euroatlantik në Maqedoninë e Veriut, Ismet Ramadani thotë për Radion Evropa e Lirë se bashkëkryesimi i Samitit në Berlin nga dy shtetet më me ndikim në BE, Gjermania dhe Franca tregon qartë përcaktimin se Ballkani Perëndimor duhet të jetë pjesë e familjes evropiane, pavarësisht mosmarrëveshjeve që shtetet e këtij rajoni kanë ndërmjet vete. Sipas tij, mosmarrëveshjet duhet të zgjidhen përmes dialogut, dhe veçanërisht në Samitin e Berlinit, sipas Ramadanit, theksi u vu në zgjidhjen e kontesteve që kanë Kosova dhe Serbia.

Ndërkaq, sa i përket porosive që u përçuan për Maqedoninë e Veriut, Ramadani e sheh si inkurajuese faktin se Marrëveshja e Prespës u theksua si model për rajonin, që kur ka vullnet nga palët mund të zgjidhen çështjet e hapura.

“Pa marrë parasysh se Republika e Maqedonisë së Veriut është së bashku me Shqipërinë, sa i përket caktimit të datës së bisedimeve, shpresojmë se dy shtetet do të marrin datën në qershor, për të filluar negociatat. Por, këtu rasti i Maqedonisë së Veriut veçohet me Marrëveshjen e Prespës , që theksohet se duhet te jetë shembull edhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor”.

“Besoj se vendimi, sa i përket Maqedonisë së Veriut, do të jetë politik dhe shpresoj se këto dy shtete, Gjermania dhe Franca, do të ndikojnë edhe në shtetet e tjera të BE-së që Maqedonisë së Veriut t’i caktohet data për fillimin e bisedimeve për t’u anëtarësuar në familjen evropiane”, thotë Ramadani.

Ndërkohë, gjatë ditës ambasada e Francës në Shkup ka publikuar strategjinë e Francës nga Samitit joformal që u mbajt të hënën në Berlin, lidhur me Ballkanin Perëndimor.

Mes tjerash në këtë strategji, në pjesën për Maqedoninë e Veriut theksohet se rajoni ka shënuar përparim të dukshëm, ndonëse nevojiten reforma të shumta, që t’i mundësohet rajonit që të stabilizohet përgjithmonë dhe t’i përgjigjet sfidave me të cilat ballafaqohet.

Në strategji është theksuar se Marrëveshja e Prespës, paraqet një përparim të dukshëm dhe një shembull të dialogut rajonal.

Në dokumentin e strategjisë së Francës për Ballkanin të publikuar nga Ambasada e Francës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, theksohet se “duhet punuar më shumë në çështjet ekonomike dhe sociale, se ka vështirësi gjatë vendosjes së përhershme të sundimit të ligjit, çështjet e sigurisë dhe ndikimet e jashtme që e devijojnë rajonin nga perspektiva evropiane”.