Në Britani, të përjashtojnë nga partia nëse voton për parti tjetër

28.05.2019 15:49:27

Nga Muhamet Hamiti

Partia Laburiste, njëra nga dy partitë kryesore politike në Britani, ka përjashtuar nga partia Alistair Campbell-in pse ka votuar në zgjedhjet evropiane të këtyre ditëve për Partinë Liberaldemokratike.
Partia tjetër tradicionale, Partia Konservatore , aktualisht në pushtet, ka pezulluar këto ditë dy anëtarë të vjetër, poashtu për arsye se kishin paralajmëruar se do të votonin për parti tjetër në zgjedhje.
Njër nga ta, Michael Heseltine, ish-zëvendsëkryeministër dhe anëtar qeverie në detyra të ndryshme në shekullin e kaluar, tash anëtar i Dhomës së Lordëve në Parlamentin Britanik, është pezulluar nga Partia Konservatore pse ka votuar për Partinë Liberaldemokratike. Poashtu edhe Andrew Cooper, drejtor për strategji në zyrën e Kryeministrit të dikurshëm konservator, David Cameron.
Alistair Campbell ka qenë drejtor për komunikime, spin doctor-i kryesor ish-kryeministrit laburist Tony Blair. Është autor që ka botuar ditarë nga koha kur ka punuar për Blair-in, që përfshijnë kohën e luftës në Kosovë.
Alistair Campbell-i ka paralajmëruar se do të parashtrojë ankesë për përjashtimin nga Partia Laburiste.
Të tre këta anëtarë të vjetër të partive kryesore politike kanë shprehur kundërshtim të qëndrimeve zyrtare pro-Brexitit të partive respektive.