Në Ditën Ndërkombëtare të Vajzave në ICT, dhjetëra vajza e gra të Kosovës ndajnë rrëfimet e tyre të suksesit

26.04.2018 15:45:50

Në një tryezë diskutimi në të cilën morën pjesë disa nga vajzat dhe gratë më të suksesshme të UBT-së dhe të Kosovës, u shënua Dita Ndërkombëtare e Vajzave në ICT.

Tryeza shërbeu si një platformë ku dhjetëra vajza e gra treguan për sfidat, paragjykimet dhe problemet me të cilat janë përballur përgjatë ndërtimit profesional të tyre, por të cilat u shndërruan në rrëfime suksesi dhe në tregime motivuese për të gjitha gjeneratat e reja të vajzave, të cilat një ditë ëndërrojnë të futen në sektorin e ICT-së.

Rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi, e përgëzoi secilën prej tyre për arritjet në karrierë dhe vendosmërinë e vazhdueshme përgjatë tërë këtij rrugëtimi.

“Vajzat dhe gratë kosovare kanë potencial të madh dhe është jetike që asnjëherë mos t’i dorëzoheni sfidave dhe pasivitetit, pasi vetëm ju mund të bëheni forca e ndryshimit për të gjitha gjeneratat pas jush”, ishte porosia që Hajrizi e pati për vajzat e gratë pjesëmarrëse, teksa potencoi se ndjehet shumë krenar që në ndërtimin profesional të secilës prej tyre, UBT ka ndikuar dhe ndihmuar në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Një rrëfim i tillë suksesi nuk ka se si të mos jetë ai i ish-studentes së UBT-së, Merita Gjyshinca – Peja, e cila është drejtoreshë ekzekutive e Bankës Ekonomike, si gruaja e vetme në Kosovë, që momentalisht është duke e mbajtur një pozitë të tillë.

Megjithatë, ajo tregoi se arritja deri në këtë pikë nuk ka qenë aspak e lehtë dhe është shoqëruar me sakrifica të shumta.

“Në Kosovë operojnë 10 banka, dhe prej tyre, Banka Ekonomike është e vetmja që udhëhiqet nga një grua.  Kjo nuk është shifër nga e cila duhet të kënaqemi, pasi aktualisht më pak se 1% e grave mbajnë pozita udhëheqëse në vendin tonë, e kjo shifër duhet të rritet urgjentisht”, tha ajo.

Për të ndarë historinë e vet, e pranishme ishte përfaqësuesja e Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit, Sajmie Thaçi, e cila me pjesëmarrësit ndau përvojën e marrë në një trajnim të mbajtur në Japoni, të titulluar: “Ndërtimi i kapaciteteve për planifikimin e projekteve në TIK”.

“Qëllimi i këtij trajnimi ishte që të bëhet promovimi dhe zhvillimi i TIK-ut, si një pjesë përbërëse e zhvillimit ekonomik, social, agrokulturor, arsimor, kulturore shëndetësor”, sqaroi ajo, duke shtuar se ishte privilegj për të që të ishte ndër përfaqësueset e vetme gra në një organizim me peshë kaq të madhe.

Rrëfimet e tyre të suksesit i ndanë edhe shumë të reja, të cilat sot janë staf, studente dhe ish-studente të UBT-së, të cilat shpërfaqën shumë arsye që e vështirësojnë prezencën e grave në sektorin e ICT-së, por që të gjitha këto barriera i ka tejkaluar secila prej tyre.

Krenare Pireva, Ines Bula, Diellza Berisha, Albnora Hoti, Harisa Hoxha, Blerona Cakolli dhe Liza Berisha, ishin personazhet e UBT-së, të cilat me rrëfimet e tyre motivuese, shërbyen si model për nisjen e kësaj rruge për dhjetëra vajza të tjera të pranishme në këtë ngjarje të rëndësishme.

E këtë ngjarje e bëri edhe më madhore prania e mysafires nga Shqipëria, nga AKCESK, Klorenta Janushi dhe ligjëruesja në Universitetin e Gjilanit “Kadri Zeka”, dr Lindita Nebiu, të cilat ndanë përvojat dhe arritjet e tyre, si dhe i motivuan të gjitha vajzat e reja që për asnjë kusht të mos heqin dorë nga karrierat e tyre.

Aktiviteti është regjistruar në ITU, në mesin e shteteve të Unionit Evropian të zhvilluara në industrinë e ICT-së.