Në ditët kur janë vrarë Agim Ramadani dhe Sali Çekaj, kërcënime nga Kudusi Lame e deri te kërcënimet e Policisë Ushtarake për likuidimin e kolonel Zemajt, major Ramabajës e të tjerë, kanë qenë rastësi?

25.04.2019 09:05:32

Nga Rexhep Kastrati

Agim Ramadani, u vra më 11 prill 1999, dy ditë pas fillimit të betejës së Koshares dhe në kohën kur u mor karakolli serb, pra kur u thye kufiri. Vrasja e tij, sikurse vrasja e Salih Çekajt më 19 prill 1999, janë plot me enigma.

Sigurisht rrjedhat që morën ngjarjet pas vrasjes së Agim Ramadanit e Sali Çekajt, nxisin dilema të rëndësishme edhe rreth vrasjes së tyre. Pyetja kryesore është: a duhej të vriteshin ata, që të ndodhte ndryshimi i plotë i strukturës ushtarake dhe shkëputja e plotë nga Ministria e Mbrojtjes dhe FARK-u, e një pjese të FARK-ut, përkatësisht themelimi i brigadës 138 “Agim Ramadani”, më 11 maj 1999? Dhe në gjithë këto a ka qenë i implikuar shteti shqiptar?

Këto dy dokumente që mbajnë datat 11 prill dhe 19 prill 1999, pra datat kur janë vrarë Agim Ramadani dhe Sali Çekaj, që nuk mund të jenë plotësisht rastësi, dëshmojnë për zhvillime shumë të rënda dhe të rrezikshme.

Në dokumentin e parë, që është një adresim shumë agresiv dhe kërcënues i gjeneral brigade Kudusi Lama, drejtuar major Nazif Ramabajës, komandantit të kampit ushtarak në Kolsh, lidhur me statusin që kishte ai kamp dhe nëse nuk do të merrte përgjigje deri nesër, më 12 prill do të mbante qëndrim, vërehet një adresim  si ndaj ndonjë ushtrie armike, pushteuese.

Ky dokument ngërthen në vete agresivitet, nervozë dhe arbitraritet të personit më të rëndësishëm në atë zonë, që nuk janë normale në komunikime të tilla, dhe që shpërfaq edhe qasjen që vetë Kudusi Lama dhe shteti shqiptar ka mbajtur në atë kohë

Pse pikërisht ditën kur u vra Agim Ramadani, Kudusi Lama i drejtohet kështu komandantit të kampit ushtarak në Kolsh? Ku e kishte burimin ai tension i tij?

Nga përgjigjia që i ka kthyer, Nazif Ramabaja, të nesërmen më 12 prill, del se nuk ka qenë i informuar se mund të ketë pasur ndonjë marrëveshje ndërmjet Kudusi Lamës dhe ministrit Halil Bicaj, dhe gatishmërinë për të respektuar ndonjë marrëveshje të tillë.

Dokumenti i dytë, që është një raport i ushtarit Skënder Koka, më 19 prill 1999, pra ditën kur është vrarë Sali Çekaj, përshkruan një incident të rëndë që mund të përfundonte me fatalitet, përkatësisht me vëllavrasje.

Natyra e pyetjeve që del se i janë bërë Skënder Kokës nga Policia Ushtarake që nuk saktësohet këtu a bëhet fjalë për Policinë Ushtarake të shtetit shqiptar, apo të UÇK-së, është natyrë e tipit agjenturor që synon strukurën e plotë ushtarake-komanduese.

Por ajo që është më e rëndë se në marrjen në pyetje, Skënder Koka është kërcënuar me vrasje, duke përfshirë edhe personalitete të rëndësishme si ministrin Halil Bicaj, kolonel Tahir Zemaj, major Nazif Ramabaja dhe disa personalitete të tjera të rëndësishme!

Pse gjithë ky pasion për vrasjen e këtyre personaliteteve të rëndësishme? A është vrasja e mëvonshme e kolonel Tahir Zemajt realizim i kërcënimeve të tilla të bëra ditën kur është vrarë Sali Çekaj, pra më 19 prill 1999?