Në Drenas kontrollohen natën restorantet nga ana e inspeksionit

11.08.2016 23:55:28

Inspektorati sanitar i Komunës së Drenasit, ka dalë në terren në orët e vona të së enjtes për të kontrolluar gjendjen e restoranteve të këtij qyteti.

Një inspektim i tillë është transmetuar në emisionin Ora e Fundit në Klan Kosova, ku njëri nga lokalet e kësaj komune është kontrolluar nga katër inspektorë.

Milaim Hajdari, kryeinspektor në Drenas ka thënë se gjatë muajve të verës në mënyrë konstante kryejnë inspektime në restorantet e kësaj komune.

“Kemi filluar para dy javësh që vendet që frekuentohen brenda ditës t’i inspektojmë. Por edhe vendet ku organizohen ahengjet familjare gjatë natës t’i inspektojmë. I kemi 9 inspektorë, ndërsa në terren natën i kemi 4 inspektorë”, ka thënë Hajdari.

Sipas vlerësimeve të inspektoratit, Hajdari thotë se qytetarët e Drenasit nuk duhet të shqetësohen për ushqimin që marrin nëpër restorante dhe se deri më tash, asnjë biznesi të tillë nuk i është kërkuar të ndalojë së funksionuari për mungesë higjiene.

“Inspektimet i bëjmë për higjienë dhe kontrollojmë afatet e ushqimeve. Kuzhinat e Drenasit, mesatarisht janë të pastra. Gjendja nuk është shqetësuese, u japim vetëm sugjerime për ndonjë rast. Asnjë subjekt nuk është dashur të mbyllet për shkak të gjendjes higjienike”, është shprehur Hajdari.