Në emër të cilit moral po flet, Jakup Krasniqi?

19.12.2016 14:04:15

Nga Rexhep Kasrati

Jakup Krasniqi e paska ndjerë fitues moral i maskaradës në Drenas, por nuk ka qartësuar në emër të cilit moral flet kështu! Në fakt, cili është morali i Jakup Krasniqit për të folur për moral, për fitues moral dhe për zgjedhje? A është morali i atyre që u angazhuan për të marrë kalanë nga brenda, pra për ta pushtuar LDK-në, e që e pat bërë publike më 1997 Selatin Novosella me një libër me titull “Kalaja nga brenda” që ish botuar nga “Koha ditore e Veton Surroit (bashkëpunim enveristo-titist), e që pasi dështuan, u përpoqën ta rrënonin LDK-në, duke e dalë nga ajo në dhe pas Kuvendit të III të saj më 28 shkurt 1998? A është morali i një zëdhënësi të linjës së Tiranës/Kretës, i linjës që doli sidomos pas takimit Nano – Milosheviq në Kretë në dhjetor 1997, e që doli për të rrënuar unitetitin, organizimin institucional të shqiptarëve të Kosovës, për të përçarë një popull, për të vrarë shqiptarë, për të ndarë Kosovën mbi baza etnike? A është morali i atyre që imponuan filozofinë e krimit, i atyre që vrasjen e personaliteteve politike, ushtarake dhe medietike e kishin si qëllim dhe si detyrë të marrë nga agjentura kundërshqiptare? A është morali i sektretarit të Hashim Thaçit që do të pohojë publikisht ka pranuar se SHIK-u ka punuar për PDK-në dhe njherë nuk ka kërkuar falje për krimet e bëra ndaj shqiptarëve? A është morali i përndjekësit të gazetarëve vetëm pse kishin kurajon për të thënë të vërtetën, për të denoncuar krimin, për të denoncuar ndarjen etnike të Kosovës, për të denoncuar karakterin kundërkombëtar të linjës së Tiranës/Kretës? A është morali i atyre që urrejtjen ndaj linjës institucionaliste të politikës dhe të luftës e shprehën duke mos pranuar FARK-un si formacion ushtarak institucional që bëri luftë çlritare, që bëri beteja fitimtare dhe që në fund i dha goditjen përfundimtare në Koshare? A është morali i atyre që veç nga urrejtja për FARK-un, refuzuan që emërtimi i Forcave të Armatosura të bëhej siç e do rendi dhe siç e kanë edhe shtete të tjera: Forca të Armatosurra të Republikës së Kosovës (FARK), dhe për t’i quajtur Forca të Armatosura të Kosovës (FAK), duke hequr emrëtimin “Republikë”? A është morali i atyre që pasi përfituan të gjitha privilegjet e të qenit pjesë e PDK-së dhe në vijën e parë të keqpërdorimit të luftës, të sakrificës popullore dhe të gjakut të dëshmorëve, bën gjoja të ndryshmit dhe të mirët? A është morali i atyre që kujtojnë se ngaqë nuk janë më pjesë e PDK-së, kanë gjithë të drejtën për të hequr përgjegjësinë morale, politike dhe penale për të gjithë bëmat kriminale dhe të tjera që u kanë kushtuar me jetë shumë personaliteteve politike, ushtarake e medietike? A është morali i atyre që e quajtën të moralshme, të dobishme, pozitive dhe patriotike, zjarrvënien ndaj institucioneve, thirrjet për luftë brendashqiptare, dhe që qenë pjesë e këtyre angazhimeve? A është morali i atyre që zjarrvënien ndaj shtetit, ndaj institucioneve të tij e kanë bërë mbi bazën e akuzave për veprime dhe procese që bartin përgjegjësi vetë, po aq sa pjesa tjetër e linjës së Tiranës/Kretës që është në qeverisje? Pra, cili është morali këtu? Në bazë të cilit moral flet për moral Jakup Krasniqi?