Në Gjermani përgatiten për një betejë të gjatë, pandemia e koronavirusit mund të zgjasë 2 vite

17.03.2020 18:51:54

Kancelarja Angela Merkel tha se gati 58 milionë gjermanë do të infektohen nga koronavirusi, ndërkohë që ka bërë gati 500 miliardë euro për të ndihmuar kompanitë për shkak të dëmit ekonomik që do të sjellë. Nga ana tjetër, shkencëtarët gjermanë e bëjnë të qartë se nuk ka për të qenë aspak e lehtë, derisa bota të lërë pas këtë pandemi. Instituti prestigjioz gjerman “Robert Koch” vlerëson se pandemia mund të zgjasë deri në dy vite. .

Gjermania sot ka ndryshuar pas vendimit për mbylljen e dyqaneve, klubeve, palestrave, e mjaft institucioneve publike. Jeta publike është minimizuar, megjithëse njerëzit dalin në rrugë.

Instituti prestigjioz shkencor në Gjermani “Robert Koch” e rriti shkallën e rrezikut të infeksionit Covid 19 në Gjermani, raporton DW. Tani ajo shihet si “e lartë”. Deri më tani ky institut e kishte kategorizuar rrezikun si “mesatar”. Arsyeja është rritja e shpejtë e numrit të të infektuarve në Gjermani. Ky institut regjistroi 6012 raste infeksioni të martën dhe 13 të vdekur, por realisht numri i të infektuarve është më i lartë, për shkak të kapaciteteve të limituara të testimit dhe vonesave 3-4 ditë në regjistrim. Sipas drejtorit të institutit Robert Koch pandemia mund të zgjasë deri në dy vjet. “Në rastin ekstrem kjo mundësi ekziston”, tha drejtori i institutit “Robert Koch”, Lothar Wieler. Por gjendja duhet të rivlerësohet rregullisht, sipas tij.

E dimë se pandemitë kanë një fazë zhvillimi me valë, tha ai në konferencën e përditshme për shtyp të institutit. Shpejtësinë e tyre nuk e dimë. Por do të zgjasë vite derisa të arrihet infektimi i i 60-70% të popullsisë. Zgjatja e pandemisë varet edhe nga koha kur do të mund të vihet në veprim një vaksinë. Kjo mund të ndodhë që nga viti i ardhshëm, sipas Wieler.