Në gjuhën tonë të bukur: shqip/SYTË KAMCA!

14.02.2017 17:45:52

Shkrimtari Arbër Ahmetaj provokoi miqtë me një pyetje gjuhësore: “Po më bajnë sytë kamca – çfarë do të thotë kjo shprehje?”.

Gjuha shqipe ka të paktën pesë shprehje të krahasueshme:

I bëjnë sytë xixa.

I bajnë (qesin) sytë gaca.

I qesin sytë prush.

I bajnë (qesin) sytë kamca.

I bëjnë sytë lalabé.

2.E para është e qartë.

Edhe e dyta dhe e treta. Gaca quhet ndryshe thëngjill i ndezur. Me i qitë sytë gaca ose prush dikujt është pak a shumë si me i ba xixa. Veç ngarkesa më e fortë. Gacat e prushi kanë më shumë zjarr.

Të pestën, me lalabé, e sjell në vemendje Arben Kallamata. Thotë përdoret në jug. Është tingullore (onomatopeike) ose nga ato që quhen krijime elementare të gjuhës?

  1. Kthehemi te kamca.

Si fjalë del thuajse në gjithë gegnishten. Në shkodranisht, kryesisht në Malsi të Madhe, në Tropojë e në Kosovë, në Shqipëri të Mesme të paktën deri në Krujë.

Është e njëjtë me komçë, kopsë, që vijnë prej turqishtes kopça?

Jo.

Si nga prejardhja edhe nga kuptimi është fjalë tjetër.

Kamcë vjen prej kam(b)ë me prapashtesën z, e cila në disa raste shndërrohet në c. Krahaso nënkamcë prej kam(b)ë me parashtesën nën dhe prapashtesën z/c. Të tjera: dromcë, gojcë (maskë pëlhure me lidhëza, që vihet në gojë me u mbrojtë prej sëmundjeve ngjitëse; maskë që u vihet qenve mos me kafshue, frengjisht muselière), grimcë, kllupcë, mjelcë, rre(h)cë, trincë, therrcë, ujcë… Kamca edhe formën e ka në trajtë këmbëze ose grepi. Në fjalët ose prapashtesat me prejardhje turke (krahaso bahçe) ç-ja si rregull ruhet në shqip, nuk jep c.

Kamcë ka dy kuptime:

  1. Pjesa me rreth (femër) e mbërtheckës metalike në tirq e pantallona të leshta; suskë. “Kamcën n’postë Muji e paska mbërthye/ Zhag te dera mbretin e paska qitë” (Eposi i Kreshnikëve, Muji te mbreti).
  2. Kallcë që vihen në këmbë e në kërcinj. Nji palë kamca lëkurësh (Krujë).

Kuptimin pullë, kopsë, nuk e ka. Në viset ku përdoret fjala kamcë pullës i thonë pullë, asnjëherë kamcë.

  1. Kamca mbërthehet te… kamcani.

Kamcan (prej kamcë), ka dy kuptime, njëri i figurshëm:

  1. Pjesa me grep (mashkull) e mbërtheckës metalike në tirq a pantallona të leshta; suskë. 2. Njeri që ngjitet fort pas dikujt, kapet si grep (Pejë, Istog ky kuptim).

Në Malsi të Madhe përdoret kamcar. Kamcari nënkupton kamcën ose kamcanin. Në librin e Atë Kol Berishës Malsia e Madhe, etnografi, gjejmë këtë fjali: “…ia shmbërthejnë (zbërthejnë – ME) pulla e kamcarë”.

Pra pullat janë tjetër, kamcat ose kamcarët tjetër. S’janë e njëjta gjë.

  1. Prej kamcë foljet me (u) kamcue në kuptimin me (u) mbërthye kamcat, pullat. “Aty Tanusha e ka njoftë/ Shpejt setrën ja ka kamcue…” (Eposi i Kreshnikëve, Halili rrëmben Tanushe Devojken). Po ashtu me (u) shkamcue me kuptim të kundërt: me (u) zbërthye kamcat, pullat, teshat. Vijojnë mbiemrat i kamcuem, i shkamcuem, ndajfoljet kamcuet (mbërthyer, gjithnjë për veshjet), shkamcuet (zbërthyer).

Mbi këtë temë﷽﷽﷽﷽﷽﷽﷽﷽ etnografike e kamcanae i qitr.içka e ngjashme ndodh pkamcuetë emrat kamcor – mbërtheckë për çorapet e grave, kamcore – “paramando”. Përveç kamcore, shqipja ka edhe një sinonim tjetër për “paramandon”: ngujore ose gjylpanë ngujore. Fjala paramando del krejt e panevojshme.

Edhe krijimi i një çerdheje të tërë fjalësh me temën kamcë flet në të mirë të një fjale vendi. Fjalët e huaja, edhe kur i pranon gjuha, s’kanë prirje me krijue “familje” të mëdha. “Familja” e kamcës është e madhe (në Fjalorin e Gjuhës Shqipe të M. Elezit janë 16 fjalë me 25 kuptime qe zënë fill te fjala kamcë).

  1. Vijmë te shprehja po më bajnë sytë kamca. Si ka mbetur?

Kuptimisht kamca me xixën e me gacën janë mjaft të largëta. Ç’mund të kenë të përbashkët një mbertheckë e ftohtë metali dhe një xixë që zdrit e djeg?

Pika e përbashkët është tjetërkund: te vezullimi. Kamcat kanë qenë prej metali të bardhë xixëllues; edhe prej ari, mbase. Për shkak të këtij vezullimi në përfytyrim afrohen me gacën e me xixat.

A nuk ndodh diçka e përafërt edhe me krahasimin mes dritës së pishës e dritës së diellit? Në pishë të diellit, thuhet. Ose dielli si pisha. Ku drita e venitur e një copëze pishë të ndezur e ku rrezja e diellit! Por dikur pisha ka qenë drita më e fortë që mund të krijonte njeriu. Ndaj e përqaste me diellin. Dhe krahasimi mbeti.

I bajnë sytë kamca thuhet pas një shpulle të fortë, për shembull. Ia veshi shuplakë turinjve e i banë sytë kamca.

Pas një përkeqësimi të papritur shëndetësor, diçka aksidentale (marrje mendësh, përplasje, rrëzim). Përplasa kryet te muri e më banë sytë kamca.

Pas një pune të imët, me përqëndrim të gjatë të syve. Tanë ditën tuj qëndisë (ose tuj lexue), po më bajnë sytë kamca.

Pas një goditjeje të menjëhershme me fjalë, të papritur; pas një përgjigjeje fort të idhët.

  1. Së fundi, shpresoj se leximi i këtij shenimi nuk qe aq i lodhshëm, sa… me ju ba sytë kamca.