Në Hungari, Viktor Orban merr mandatin e tretë si kryeministër

09.04.2018 09:54:23

Partia “Fidesz” e kryeministrit Viktor Orban u shpall fituese e zgjedhjeve të përgjithshme, që u mbajtën të dielën. “Fidesz” fitoi gati gjysmën e votave.

Sipas sistemit elektoral të Hungarisë, i cili favorizon partitë më të mëdha, “Fidesz” duket se do ketë dy të tretat e ulëseve të Parlament, përkatësisht 134 nga 199 sa janë në total.

Partia nacionaliste “Jobbik” fitoi rreth 20 për qind të votave, ndërsa Socialistët rreth 11 për qind.

Pjesëmarrja ka qenë më e lartë se sa pritej, përkatësisht rreth 68 për qind, dhe shumë kritikë të Orbanit kanë shpresuar se kjo do t’i ndihmojë partitë opozitare. Megjithatë, Orban ka fituar mandatin e tretë të njëpasnjëshëm si kryeministër.

Orban, 54 vjeç, i cili ka shërbyer si kryetar i qeverisë edhe nga viti 1998 deri më 2002, ka bërë fushatë mbi një platformë të fuqishme kundër emigrantëve dhe votimet e së dielës i ka cilësuar si shans për hungarezët për të rikthyer vendin e tyre.

“Ata duan të na marrin atdheun tonë përsëri. Partitë që u shërbejnë interesave të huaj dhe politikanët që marrin paga të huaja duan të qeverisin dhe ta kthejnë Hungarinë në një vend emigrantësh”, ka thënë ai.