Në janar Specialja interviston edhe një ish-komandant nga Drenica

24.12.2018 15:34:04

Përveç Sami Lushtakut, Zyra e Prokurorit të Specializuar për Kosovën ka ftuar për intervistim në Hagë edhe një tjetër ish-komandant të UÇK-së nga rajoni i Drenicës. Ai në Kosovë është i dënuar për krime lufte.
Në mesin e ish-komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që janë ftuar për intervistim në janar, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë është edhe një ish-komandat nga Drenica – emër i njohur për redaksinë.

Ftesa i është konfirmuar Gazetës Express nga persona të afërt me procesin, sikurse edhe me personin në fjalë. Intervistimi është paraparë të ndodhë në mes të muajit të parë, të vitit të ardhshëm – janar 2018, në Hagë.

Ai, tashmë është i dënuar edhe në Kosovë, për krime lufte, nga një trup gjykues i përbërë nga gjyqtarë ndërkombëtarë, si pjesë e një misioni të huaj në Prishtinë.

Ish-komandanti nga Drenica është dënuar nga një gjykatë vendore për krim të luftës kundër popullatës civile, vrasjen dhe torturimin e të burgosurve gjatë konfliktit të armatosur të viteve ’98-’99, në Kosovë. Po ashtu, ka qenë i akuzuar edhe në një rast tjetër për krime lufte, por është liruar nga akuza.

I njëjti aktualisht nuk ndodhet në vuajtje të dënimit, pas një vendimi të Ministrisë së Drejtësisë i nxjerrë para disa muajve.

Ftesa, atij i ka ardhur qysh në fillim të këtij muaji, sikurse edhe ish-bashkëluftëtarëve tjerë të tij dhe ish-komandantëve Rrustem Berisha-Remi, Nazif Mehmeti, Sami Lushtaku, etj., dhe ish-kryetarit të Gjykatës Ushtarake të UÇK-së, Sokol Dobruna.

Gazeta Express për t’iu përmbajtur konfidencialitetit të fazës së hetimit, do të ruajë identitetin e tij, siç ka vepruar edhe me të ftuarit e tjerë, deri në momentin kur vetë ata të deklarohen rreth kësaj ftese, ose Zyra e Prokurorit të Specializuar ta bëjë publike një gjë të tillë. Po ashtu, gazeta do të jetë e kujdesshme edhe në shpalosjen e detajeve të tjera që mund ta dëmtojnë procesin e hetimeve.

I kontaktuar nga Express, para dhjetë ditëve, ish-komandanti nuk ka pranuar të deklarohet rreth ftesës nga Haga, duke kërkuar mirëkuptim për gjendjen e tij shëndetësore. Të njëjtën gjë e ka bërë edhe avokati i tij, porse ky i fundit ka reaguar me nervozizëm gjatë komunikimit.

As Zyra e Prokurorit të Specializuar, amerikanit Jack Smith, deri më sot, për asnjërin nga rastet nuk është deklaruar dhe nuk ka komentuar asnjë nga informacionet e siguruara.

“ZPS nuk jep detaje në hetimet e saj”, thuhet në përgjigjen standarde të ZPS-së, “dhe nuk jep informata për kohën se kur mund të ngrihen aktakuzat e mundshme”.

Ndryshe, Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar për Kosovën, të njohura si Gjykata Speciale, janë votuar në Kuvend të Kosovës, në gusht të vitit 2015. Përmes ligjit të veçantë, këto Dhoma të Specializuara dhe Prokurori Special u themeluan për të gjykuar disa krime të caktuara të kryera prej 1 janarit 1998 deri më 31 dhjetor 2000, brenda territorit të Kosovës.

Ato u krijuan si pasojë e një raporti të zviceranit Dick Marty, që e paraqiti para Këshillit të Evropës në janar të 2011.

Raporti përmban pretendime për krime të rënda, që supozohet t’i ketë kryer UÇK-ja gjatë dhe menjëherë pas luftës së fundit në Kosovës. Të njëjtat supozime u mbështeten edhe në një libër që e kishte shkruar ish-prokurorja e Tribunalit Special, Carla Del Ponte, tri vjet para se Marty ta hartonte raportin.

Deri më tani, janë konfirmuar se Zyra e Prokurorit të Specializuar për Kosovën ka ftuar për intervistim 9 persona të ndryshëm, ish-pjesëtarë të UÇK-së, përfshirë edhe komandantë dhe njerëz me ndikim në luftë. Dy prej tyre, gjatë dhjetorit, kanë dhënë deklarata para prokurorit të Specializuar, në Prishtinë. Të tjerët, sipas ftesës, do të duhen që në janar të udhëtojnë për në Hagë.

Por, kjo nuk është e gjitha, lista e të ftuarve mendohet të jetë shumë më e gjerë, porse pjesa më e madhe e të thirrurve kanë zgjedhur të mos deklarohen për ftesat e marra.

Gazeta Express gjatë dhjetorit ka raportuar se si prokurorët e Speciales janë duke hetuar edhe për një rast të gjykuar më parë në Kosovë, me një aktakuzë të ngritur nga prokurorë të huaj që kanë vepruar si pjesë e një misioni ndërkombëtar në Kosovë.