Në kërkim të misterit ku shkeli Eduard Lir…

26.12.2016 11:02:19
Edward Lear - FIGURE ON A BALCONY OVERLOOKING THE CITADEL, CORFU

…Deti i paanë, pafundësia e qiellit që cikej me detin tutje-tutje, lartësia e malit që kuvendonte e “puthte” kupolën e qiellit me ndoca re që i lëpiheshin malit, e gjitha kjo ishte e mrekullueshme, një imazh imponues, që të kujtonte fjalët dhe mbresat e piktorit anglez Eduard Lir, i cili i ka pikturuar Akrokeraunet – detin Jon në këmbët e tij – qiellin e kaltër sipër; imazh që ka qarkulluar viteve muzeve të botës.

 

Nga Josif Papagjoni

Po e nis këtë shkrim me një rrëfim udhëtimi. Me tre miq të mi profesorë, morëm arratinë dhe i ramë për qejf e çlodhje udhës së bregdetit. Në Qafën e Llogarasë, i njohur me emrin e vjetër antik si Akrokeraunet, qëndruam dhe pimë një kafe. Poshtë deti i paanë, pafundësia e qiellit që cikej me detin tutje-tutje, lartësia e malit që kuvendonte e “puthte” kupolën e qiellit me ndoca re që i lëpiheshin malit, e gjitha kjo ishte e mrekullueshme, një imazh imponues, që të kujtonte fjalët dhe mbresat e piktorit anglez Eduard Lir, i cili i ka pikturuar Akrokeraunet – detin Jon në këmbët e tij – qiellin e kaltër sipër; imazh që ka qarkulluar viteve muzeve të botës. Më pas shfaqet Palasa dhe pasojnë fshatrat aq të bukur të Bregut: Dhërmiu, Vunoi, Himara, Piluri lart, “ballkoni i Bregut”, Qeparoi me ullishtat dhe plazhin e gjerë, Borshi, kalaja historike, plazhi disa kilometra si dhe ullishtat që bëjnë një mrekulli, e më tutje Piqerasi si direk anije, me rrugicat me kalldrëm, si i ankoruar në det, Lukova e mbështjellë me brezare portokajsh, limonësh e ullinjsh, për të zbritur në Shën Vasil e Nivicë Bubar me rrapet e lashta e madhështore. I gjithë ky areal buzë detit, me baret dhe shtëpitë e bukura, me rrugët, resurset historike e arkeologjike, historinë dhe mitet, këngët dhe traditat, vallet dhe kostumet, mbrëmjet si peizazhe të gjalla piktorike me perëndimet e mrekullueshme ku luajnë ngjyrat, të gjitha këto të ftojnë tek ideja e domosdosë për t’i dhënë kësaj zone impulse shumë më të mëdha turistike, njerëzve kënaqësitë dhe lumturitë e “vogla”, të thella, kapilare.

Ja Himara! Hapëruam qetë-qetë shëtitores së re, e cila na u duk se ishte krejt e jona. Deti, edhe ai na u duk i yni. Ajri i freskët që frynte si në bunacë na lehtësonte trupat. Një shëtitore e gjerë, e kohës, që pret të shtyhet tutje sipas projektit, përtej rëndomtësive dhe xhelozive politike, duke i dhënë frymëmarrje qytetit. Shkurt e qartë: ajri i pastër mbushur me jod dhe oksigjen, deti, plazhet, gjelbërimi, krejt relievet e fshatrave strukur brigjeve dhe maleve, një hipotekë e patjetërsueshme natyrore turistike. Afërmendsh, kjo është pjesa e ëmbël, poetike, thuajse ekzotike, ajo çka Zoti ka falur bujarisht. Por njeriu, banorët e kësaj krahine, sidomos shteti, duhet të mos lejojnë më shpërdorimin urban të pamëshirshëm, idiotesk, që la gjurmë të këqija në qytetet tona: edhe në Vlorë, Himarë e Sarandë. Por le ta lëmë këtë temë tashmë të bezdisshme: kaloi morti, kaosi, budallallëku dhe la gjurmët e shëmtisë. Tashmë ka ardhur koha e reflektimit. E këtij karakteri ka qenë edhe nisma e Institutit të Librit dhe të Promocionit “Në zbulim të mistereve të Jugut”, apeli i së cilës në gjithë veprimtaritë e kryera së fundmi në qytetin e Himarës, në Pilur e në Kuç, ishte vizioni për të identifikuar e begatuar shanset dhe resurset turistike, duke kërkuar të bukurën, të veçantën, ide të pllenshme: çfarë mund të ndreqet më tej, çfarë mund të rivitalizohet nga tradita antropologjike e zonës, çfarë mund të shfrytëzojmë si burim turistik filluar nga tipologjia e banesave, kostumet, folklori dhe shndërrimi i tij në instrument njohje e argëtimi për të ardhurit, peizazhi, gjurmët arkeologjike, deti dhe gjithë shanset që ai jep për eksplorim, kënaqësi, argëtim, më tutje fauna, frutikultura, etnologjia, zakonet dhe doket e hershme me stilin e jetës.

E para gjë që më la mbresë nga nisma e Institutit të Librit dhe të Promocionit për një vizion të ri të turizmit në Bregdet dhe fshatrat e Lumit të Vlorës është institucioni i turistit. Turisti duhet të jetë një mik shtëpie. Ky koncept ndërtohet më së pari te banorët e fshatrave pritëse të Bregdetit, në vijim të asaj sentence madhështore: shtëpia e shqiptarit është e mikut dhe e Zotit – një vetëdije antropologjike vërtet për t’u lëvduar e pasur zili, që duket se funksionon mirë në familjet bregase dhe po rikonceptohet tashmë edhe në funksion të turizmit si mundësi ekonomike dhe jo vetëm. Duke e pasur të rrënjosur thellë këtë veti e dok të lashtë shqiptar, mikpritjen, familjet bregase po krijojnë strukturën bazë të fizionomisë së këtij turizmi: shërbesën e qytetëruar. E ç’rëndësi ka, e quajmë turizëm familjar ose jo, e quajmë kulturë jetese ose tjetërçfarë, mjaft që kjo psikologji pritjeje e begenisjeje, kjo butësi e urtësi qytetare shembullore, që është e koduar brenda nesh, të gjejë njëvlerësin e vet edhe në ngritjen e gjithë infrastrukturës që e mbështet. Pikërisht një shkëmbim të tillë përvoje turistike kishte marrë përsipër dhe nisma e Institutit të Librit dhe të Promocionit, duke u ulur me këmbë në tokë në gjësende të prekshme. Në rrahjen e mendimeve dhe sjelljen e përvojave u bë e qartë se përveç ofrimit të shtëpive e banesave private, si popull i kulturuar, i gjindshëm dhe i dashur, vetë komunitetet duhet të shndërrohen në premisë bazike për zhvillimin turistik të zonës së tyre. Dhe brenda kësaj optike, nga eksperienca e derisotme dhe resurset e “fjetura” ende, ka ardhur koha që të vitalizohen veprimtari me natyrë kulturore e sociale për shkëmbime eksperiencash në rrafshe familjare, në ofrimin e mjediseve çlodhëse, kulinari karakteristike të zonës, qëndistari, prodhime veshjesh artizanale vendase, gjallesat që vijnë nga deti, frutikultura tipike dhe, pse jo, duhet këmbëngulur për evidentimin e disa kampioneve se ku pikërisht dhe se si ky turizëm mund të njohë së afërmi shtim e zmadhim klientësh. Këtu nuk është fjala vetëm te mobilimi dhe gjithë kushtet e shërbimit, posaçërisht hoteleritë, shtëpitë private, restorantet, baret, argëtimet dhe jeta artistike kulturore, gatimet e peshkut, por u këmbëngul pikërisht te lidhjet me ashk miqësor me bujtësit. Ishte shumë i vyer mendimi thuajse unanim se duhet nxitur edhe më shumë modeli i turizmit familjar, ku gjithçka të përgatitet aty: fjetja, ushqimi, kafeja, pijet, shërbimi në internet, bisedat, mbrëmjet dhe darkat e organizuara. Kësisoj klientët miqësohen me familjarët dhe këta të fundit ua dinë huqet, dëshirat, llojin e ushqimit, pijet e preferuara, shëtitjet me makinë, kafenë, qejfet nëpër vende të ndryshme, pelegrinazhet nëpër resurse historike, arkeologjike, kulturore etj. Përmirësimet infrastrukturore mundësojnë gjithnjë e më shumë një turizëm gjithëvjetor. A mund të ndërtohet nesër, p.sh. në Himarë, diçka për faunën detare, ndoshta-ndoshta, një rezervat peshku me lloje të ndryshme? Ky qytet s’ka skulptura parku, kur mund të ketë disa syresh me motive nga më çlodhëset. Të bashkohet arti me njeriun. Besoj se koha duhet t’i ndërgjegjësojë pronarët e bareve dhe hotelerive për të mos nxjerrë dhjamë nga pleshti, por të ofrojnë argëtime më cilësore. Në komplekse të tilla mund të ofrohen ekspozita të arteve pamore jashtë në qiell të hapur, në shëtitore. Një koloni piktorësh të mbështetur nga Instituti i Librit dhe i Promocionit bënë peizazhe të bukura nga fshatrat e Bregdetit dhe Lumit të Vlorës. Sakaq ai ka botuar për njohjen e vlerave turistike, në anglisht dhe në shqip, 30 botime. Mund të realizohen ekspozita të relikteve, veshjeve dhe objekteve me vlerë historike, antropologjike, takime e koncerte të grupeve folklorike, gjer dhe karaoke me klientë, me shpallje çmimesh e dhuratash simbolike, pse jo!

Shtyrë nga veprimtaria “Në zbulim të mistereve të Jugut” disa rituale sociale festive e procesione argëtuese duhet të datohen gjatë stinës së verës me patjetër, këngëtarët shëtitës, të organizohen koncerte, piktorë vizatimesh të çastit në shëtitoren e re të Himarës, të çelen ekspozita apo tregje bizhush e mallrash të tjerë. Turizmi arkeologjik duhet të ofrojë pelegrinazhe të organizuara në Butrint po se po, por edhe në manastirin e 40 Shenjtorëve në Sarandë, në vende të shenjta e me vlera historike. Himara dhe fshatrat e saj, për vitalizimet turistike lipset të krijojnë kalendarë me disa festa popullore pagane, historike, ekskursione, piknikë. Le të ringjallim festa të hershme të humbura, qofshin dhe me petkun religjioz. Duhet të aktivizohen festa specifike të zonës si ajo e ujërave apo ajo e peshkimit, epifania pagane, festa e ullirit ose ajo e Buzmit, mbase mund të identifikohet një ditë e themelimit të qytetit të Himarës, e lidhur kjo me mugujt e mitit dhe legjendës. Me rininë shkollore duhen bërë më shumë rrugëtime dhe ekskursione me shandanë, pishtarë, llambadhe a qirinj, me imitime të betejave të njohura, përcjelljes në dete e dhera të huaja, duke përdorur edhe veshje të atyre kohëve, kuaj, karroca, shpata, shtiza, parzmore, dhe fantazia punon vetë më tutje, sepse krahina është shquar për përdorimin e anijeve. Vetëm për “Vajzën e valëve” mund të krijohet një festë-procesion shumë interesant me grupe vajzash, barka, djem, këngë të përmallshme, kukulla e rituale, ushqime, pije e birrë pa fund, gjimnastë e studentë, djem e vajza të bukura, karnavale, kostume shumëngjyrëshe plot erotizëm e animime, gjithçka që krijon pra hare, dëfrim, shaka, të qeshura, për ta festuar e shijuar, siç thotë populli, për “shtatë palë qejfe”. Duhen ngritur traditat me gara noti masiv me aventurierë të detit që s’mungojnë, me djelmosha e vasha të reja? S’të mundon shumë: një shpallje online, një çmim dhe kaq.

Bashkëpunime e motërzime me vendet dhe qytetet turistike mesdhetare greke apo italiane, turke apo kroate, franceze apo spanjolle, mund të instalojnë në Bregdet veprimtari kulturore e sportive që janë pjesë atraktive e agjendave të tyre. Ja, përmes këtyre udhëve, që u cekën në dhjetarë e dhjetëra ide, projekte e propozime gjatë ditëve të “Zbulimit të mistereve të Jugut”, organizuar nga Instituti i Librit dhe i Promocionit, mund dhe duhet begatuar nesër e ardhmja e turizmit në krahinën e Bregdetit.