Në kinematografinë shqiptare para 60 vjesh ndodhi puthja e parë

27.08.2018 21:48:30

Plot 60 vjet më parë ishte premiera e filmit të parë të gjatë artistik, TANA, me skenar nga Fatmir Gjata dhe regji të Kristaq Dhamos. Tana nuk ishte vetëm filmi i parë shqip por dhe filmi ku u dha puthja e parë në kinematografinë shqiptare. Dy personazhet që interpretuan të dashuruarit në këtë film ishin Tinka Kurti dhe Naim Frashëri.

Në rolin e të dashurit Frashëri është një djalë malësor, romantik, me dashuri të pastër, që dëshiron të ndërtojë një jetë të re, edhe pse në fillim e ka të vështirë pasi i duhet të shkojë për të jetuar e punuar në fshatin e Tanës, me të cilën do të lidhë një jetë të re. Gjatë këtij viti AQSHF lajmëron do ndaj herë pas here lajme të mira mbi këtë film të rëndësishëm të kinematografisë shqiptare dhe për kontributin e kineasit të shquar, Kristaq Dhamo.

 

Subjekti i filmit, me temë nga jeta shoqërore e fshatit dhe vendosur me skenar nga Fatmir Gjata mbështetur në novelën e tij me të njëjtin titull. Ngjarjet zhvillohen në vitet ‘50. Në qendër të filmit është Tana, një vajzë e zgjuar dhe me mendime të përparuara. Ajo dashuron Stefanin, i cili banon në një fshat të varfër malor. Tanës i del përpara mentaliteti i vjetër i gjyshit të saj si dhe xhelozia e Lefterit. Është një lojë dashurie drejt përparimit. Këtu është realizuar puthja e parë në filmat shqiptarë. Një puthje që për mentalitetin shqiptar të kohës ishte një tabu. “Është e vërtetë dhe kjo më bën krenare.

Nuk pata asnjë hezitim kur tek filmi “Tana”, nën një pemë i dhashë puthjen partnerit tim, aktorit të madh Naim Frashëri. Është puthja e parë në historinë e filmit shqiptar dhe kjo më bën të ndjehem vërtetë mirë. Ishte koha e tillë, mentaliteti që të pengonte për të realizuar skena të tilla. Megjithatë, edhe pse isha shumë e re, pasioni e bën aktorin të interpretojë edhe skena të tilla që tashmë janë të zakonshme” do të rrëfente vite më vonë aktorja Tinka Kurti në rolin e Tanës në film. “Sigurisht që nuk ishte e lehtë.

Madje ju them se për të bërë atë puthje, na u desh të realizonim 29 dubla dhe fatkeqësisht skenën e hoqën më pas. Zemërohem me vete dhe them: “Mirë atëherë që nuk lejonte koha dhe regjimi, po sot, përse nuk jepet puthja ime me Naim Frashërin?”, shprehej aktorja. Në këtë film kanë interpretuar aktorët që më vonë do të bëheshin historia e kinemasë shqiptare si Tinka Kurti, Naim Frashëri, Pjetër Gjoka, Kadrri Roshi, Marie Logoreci, Violeta Manushi, Pandi Raidhi, Lazër Vlashi, Ilia Shyti, etj.