Në “Kishën ortodokse” që gjendet në kampusin e UP-së po punohet në mënyrë tinëzare nga një grup serbësh

11.04.2017 12:50:51

“Demokracia Studentore” shpreh indinjatë rreth punimeve tinëzare afër objektit që referohet si Kishë ortodokse në hapësirat e kampusit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Kryetari i ‘Demokracisë Studentore’, Mexhid Ramusa tha se një grup i politizuar serb në mbështetje të disa priftërinjve po tentojnë të vënë në jetë në mënyrë tinëzare politikat e regjimit të Millosheviçit në Kosovë.

“Ne fillimisht ju bëjmë thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse për të marrë masat për të ndalur hyrjet në këtë objekt dhe punimet rreth funksionalizimit të kësaj kishe. Ne kërkojmë nga institucionet që në këtë objekt të vendosen kamerat e sigurisë. Ky reagim vjen pasi që këto duhet të jenë hapat e parë, përndryshe nëse nuk ndalen hyrjet e serbëve brenda këtij objekti ne do të fillojmë me organizimet e studentëve duke protestuar në të gjithë mënyrat e mundshme për t’i ndaluar këto punime tinëzare të motivuara për nxitje të urrejtës ndaj shqiptarëve. Ne si organizatë kemi kërkuar që ky objekt të funksionoj si muze e krimeve dhe gjenocidit të cilat i ka kryer Serbia në Kosovë”, tha ai.