Në Komunën e Rahovecit ka filluar vaksinimi kundër gripit sezonal

07.10.2016 14:10:13

Komuna e Rahovecit, ka filluar procesin e vaksinimit kundër gripit sezonal për të gjithë personat e moshuar, pacientet me sëmundje kronike dhe ata me probleme tjera shëndetësore. Ky proces i vaksinimit, është duke u bërë nëpër të gjitha qendrat e mjekësisë familjare në Komunën e Rahovecit.

Shërbimi i vaksinimit në Komunën e Rahovecit për këtë vit është furnizuar me 1 350  doza vaksina, ndërsa i gjithë procesi pritet të përfundoj brenda muajit dhjetor.

Zyrtarët e DShMS-së në Komunën e Rahovecit kanë  thënë se kërkesa për furnizim ka qenë për  2 000 vaksina , ndërsa kanë arritur të sigurohen 1350 vaksina. Furnizimi me kontingjentin tjetër të vaksinave, do të bëhet pas shpenzimit të sasisë e cila momentalisht është në dispozicion.

Vaksinat kundër gripit sezonal, merren pa pagesë në të gjitha qendrat e mjekësisë familjare (QKMF,QMF,AMF) në Komunën e Rahovecit.