Në Kosovë janë rreth 3 mijë përdorues të narkotikëve

16.10.2016 13:04:38

Kosova nuk ka statistika zyrtare të cilat e tregojnë numrin e saktë të përdoruesve të narkotikëve në vendin tonë.

Megjithatë, sipas të dhënave që posedon Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), në Kosovë janë rreth 3 mijë përdorues të rregullt të narkotikëve kurse 10 deri në 15 mijë abuzues të drogave. Zëvendësministri i MPB-së, Nehat Mustafa, i cili njëherit është edhe Koordinator Nacional Kundër Narkotikeve, ka thënë për Kosovapress se grupmosha më e atakuar e përdoruesve të narkotikëve në vendin tonë është ajo 15 deri 35 vjeçare.

Megjithatë, krahasuar me vendet tjera të rajonit dhe më gjerë, sipas Nehat Mustafës, Kosova qëndron shumë më mirë sa i përket numrit të përdoruesve të kësaj lënde të ndaluar. Po ashtu, Mustafa ka shtuar se Kosova më shumë cilësohet si vend transit i drogave, ku kryesisht lëndët narkotike tregtohen nga Shqipëria përmes Kosovës për në vendet e zhvilluara të Evropës. Ndërsa, nëse kjo ndodh për shkak të mungesës së kontrollit të mjaftueshëm të kufijve, Mustafa është shprehur se as shtetet më të zhvilluara nuk kanë arritur t’i mbyllin hermetikisht kufijtë ndaj kësaj dukurie.

Mirëpo, cili është destinacioni i narkotikëve të cilët kalojnë nëpër Kosovë si vend transit, Mustafa ka thënë se Kosova nuk e ka të rregulluar çështjen e dërgesave të kontrolluara në mënyrë që të lejoj kalimin e drogave në Kosovë dhe të shikojmë se cili është destincioni final. Mirëpo, sipas tij, në shtetet ku janë kapur sasi të ndryshme të drogave, janë deklaruar se Kosova ka qenë rruga nëpër të cilën këto substanca janë tregtuar.

Megjithatë, Mustafa ka deklaruar se synimet e narkogrupeve kohëve të fundit janë gjeneratat e reja apo grupmoshat e shkollarëve. Prandaj, sipas tij, Policia e Kosovës i ka shtuar patrullimet përreth institucioneve shkollore. Po ashtu, sipas tij, përdorimi më i madh i narkotikëve bëhet në qytetet më të mëdha që sipas tij rrjedhimisht Prishtina e ka numrin më të madh të përdoruesve të drogave.

Mustafa është shprehur se institucionet po mundohen ta krijojnë gjendjen e sigurisë maksimale mirëpo, sipas tij, jo gjithmonë varet nga Policia e Kosovës për arsye se janë institucionet tjera të cilat duhet ta kryejnë punën.