Në Maqedoni falet namazi i xhenazes për të rënit në Turqi

22.07.2016 19:58:12

Me vendim të Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, në të gjitha xhamitë e vendit, pas mbarimit të namazit të xhumasë u falë namazi i xhenazes për viktimat e rënë në Turqi pas tentativës për grusht shtet më 15 korrik.

Ligjëruesi në Xhaminë e Murat Pashës në Shkup, Sulejman Baki, gjatë hutbes së xhumasë i ka uruar Presidentit të Turqisë, shtetit, qeverisë dhe popullit turk që një gjë e tillë të mos përsëritet asnjëherë dhe është lutur për mëshirë për të vrarët dhe shërim të shpejtë për të plagosurit.

Po ashtu, Baki e ka lexuar letrën e solidarizimit të cilën Bashkësia Islame e Maqedonisë ia kishte përcjellë Presidencës së Çështjeve Fetare të Turqisë një ditë pas tentativës për grusht shtet.

Po ashtu edhe në Xhaminë e re në Kumanovë, hoxha Eljesa Mahmudi ka lexuar hutben e xhumasë në mbështetje të presidentit turk, Rexhep Taip Erdogan, ndërsa në Xhaminë Gam Gam të Tetovës hutben në mbështetje të Turqisë e ka lexuar hoxha Nuhi Bakiu.

Gati se në të gjitha xhamitë në Republikën e Maqedonisë janë lexuar hutbe dhe është falur namazi i xhenazes në mungesë, për të rënit në tentativën për grusht shteti në Turqi.