Në Mitrovicë “Lugina e Diellit”, në Preshevë “Lugina e Hënës”

12.09.2018 22:13:30

Nga  Nexhmedin Saqipi

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, gjatë qëndrimit në Mitrovicën e veriut, ka takuar edhe drejtorin e projektit “Lugina e Diellit”, një kantonier ndërtimi për vendosjen e serbëve, që dëshirojnë të kthen për të jetuar në Kosovë.
Sipas mediave serbe, kjo lagje e re banimi, ka filluar të ndërtohet, gjatë vitit 2017 e pritet të përfundoj vitin e ardhshëm, duke ngritur 137 ndërtesa me rreth 350 njësi banesore. Po ashtu, në kuadër të këtij projekti është paraparë ndërtimi i qendrës kulturore, tregtare, ambulancës, Kishës Shën Stefani, si dhe 33 objekte të tjera.
Thuhet se “projekti zgjidh statusin social-ekonomik dhe secila familje që do të kthehet, të paktën një anëtar do ta ketë të punësuar”, i cili financohet nga buxheti republikan i Serbisë dhe organizatave ndërkombëtare.
Duke ndërtuar lagje të reja banimi vetëm për të kthyerit, Beogradi, lëre që ka ruajtur elementin serb në veri të Kosovës, por edhe ka ngritur përqindjen në shkallë të lartë me mbi 90 për qind si: Veriu i Kosovës (Mitrovica veriore nga 12.326 banorë : 11.459, ose 92.97 % serbë, kurse shqiptarë 867, ose 7.03 %, Leposaviqi nga 13.773 banorë: 13,450, ose 97.65 % serbë, shqiptarë: 323 ose 2.23 %, Zubin Potoku nga 6.660 banorë: 5.621 ose 84.96 % serbë, 995 ose 15.04 % shqiptarë, Zveqani nga 7.481 banorë: 7.095 ose 94.84 % serbë, 386 ose 5.16 % shqiptarë), në përgjithësi këto komuna në veri të Kosovës kanë 40.195 banorë me 93.6 për qind në favor të serbëve dhe vetëm 6.39 për qind shqiptarë.
Ndërsa në lindje të Kosovës Lugina e Preshevës 82.521 për qind banorë, me 69.79 përqind shqiptarë dhe 30,20 për qind serbë: Presheva nga 34.904 banorë: 31.098 ose 89.10 % shqiptarë,2.984 ose 8.55 % serbë, Bujanoci nga 43.302 banorë: 23.681 ose 54.69 % shqiptarë, 14.782 ose 34.13 % serbë dhe të tjerët romë, Medvegja nga 10.760 banorë: 7.163 ose 66.57 % serbë, 2.813 ose 26.17 shqiptarë.
Kjo statistikë me numra dhe shifra është bazuar sipas regjistrimit të vitit 2002, që mund të ketë gjatë kësaj periudhe edhe zvogëlim të popullsisë ose lëvizje nga një vend në tjetrin.
Si do që të jetë kjo statistikë tregon qartë se sa ka qenë e interesuar prej kohësh që Beogradi ta ruaj, ta forcoj dhe ta zhvilloj bërthamën etnike të serbëve në Kosovë, duke ndarë fonde të posaçme zhvillimore shifrat e të cilave kapin me miliona euro.
Kurse në Luginën e Preshevës, Kosova nuk ka pasur mundësi të ndaj fonde për ta mbrojtur bërthamën kombëtare të bashkëkombësve të vet, të cilët falë angazhimit të tyre dhe diasporës kanë arritur, deri diku, ta ruajnë elementin etnik në favor të tyre në Preshevë dhe Bujanoc, por jo edhe në Medvegjë.
Mirëpo, “Lugina e Hënës”, pas luftës së fundit në Kosovë, ndonëse e zbehu fuqinë e dritës në krahun e saj lindor, ajo arriti ta ruaj bërthamën etnike në rajonin e vet, si dhe me lëkundjen e një pjese të popullatës së saj ndryshoi pozitën demografike të Fushë Kosovës, e cila po të mos ishin shqiptarët e kësaj ane ajo sot do t’i përngjante një Graçanicë, apo ndonjë enklave tjetër me shumicë serbe.
Disa vite më parë në diasporë lindi ideja që në Luginë të Preshevës, të shpallet aksioni për ngritjen e 100 shtëpive për ata që kanë nevojë. Ky aksion u promovua edhe në Prishtinë dhe Tiranë, por si i tillë ngeli në gjysmë të rrugës, ashtu siç ngelën edhe disa fonde të tjera simbolike të premtuara nga qeveritë shqiptare këndej dhe matanë Drinit, e që nuk u realizuan kurrë.
Meqenëse Lugina e Preshevës, kohëve të fundit, është në fokus të zhvillimeve politike dhe diplomatike, faktorët relevant shqiptarë nga shtete amë, duhet të jenë më të kujdesshme dhe më të përgjegjshme, për veprimet që ndërmarrin për çuarjen e saj drejt dialogut final me Brukselin.
Pavarësisht, epilogut të bisedimeve shqiptaro-serbe në Bruksel, Lugina e Preshevës, do të jetë një urë lidhëse midis shteteve të pavarura: Kosovë-Serbi- Maqedoni, të cilat përmes këtij trekëndëshi magjik, do ta lidhin fatin e tyre të raporteve ndërkufitare, ndërshtetërore dhe ndërajonale.
“Made in Lugina” është një vend strategjik, pa zgjidhjen e drejtë dhe të qëndrueshme të saj, nuk ka paqe të qëndrueshme e stabilitet afatgjatë në rajon. Prandaj, për “Luginën e Diellit” dhe “Luginën e Hënës”, duhet të gjendet një zgjidhje e kënaqshme, parimore dhe pragmatike, sa më shpejt aq më mirë!