“Ne nuk jemi të vjedhur”, Rudina Hajdari bën lëmsh sloganin e Nismës Thurje

21.01.2021 10:51:32

Një video e deputetes Rudina Hajdari, shkëputur nga emisioni “Log” në ABC News, ka tërhequr vëmendjen dhe ka shkaktuar të qeshura në rrjet, pasi deputetja, që tashmë i është bashkuar  lëvizjes “Nisma Thurje”, ka ngatërruar në mënyrë mjaft amatore, sloganin e kësaj lëvizje, që do të garojë si një parti politike, në zgjedhjet e 25 prillit.

Më shumë sesa një lapsus, duket se Rudina nuk e ka fare idenë se për çfarë po flet, ndërkohë që sloganit i jep kuptim krejt të kundërt.

Në përpjekje për të shpjeguar se përse kjo lëvizje është ndryshe nga partitë e vjetra, zonja Hajdari nisi të thotë:  “Ne nuk jemi të vjedhur…”, por ndaloi urgjentisht, sepse e kuptoi se po e recitonte gabim sloganin, pa e patur fare mendjen tek ajo që po thoshte.

Slogani i “Nisma Thurje” është: “Ne nuk jemi të varfër, jemi të vjedhur”, për të treguar se Shqipëria ka pasuri dhe resurse të shumta, por se klasa politike në këto 30 vite i ka vjedhur dhe përvetësuar ato.

Hajdari, e cila pas largimit nga PD mbeti pa parti, tashmë ka zënë vend në një lëvizje që u konceptua si një përpjekje për të sfiduar establishmentin politik në Shqipëri. Me sa duket, ajo duhet të punojë më fort, që të paktën të mbajë mend sloganin e partisë së ardhshme, në mënyrë që kur ta thotë përmendësh nëpër televizione, të paktën ta formulojë saktë.