Në përvjetorin e lindjes së KRYEHEROIT

08.05.2019 00:08:58

Nga Xhenc Bezhi

LETËR MBRETIT TIM

Át i Kombit,
Ti, i madhi Kastriot,
shumë të kërkova
në Lezhë
kësaj vere,
po mundi më shkoi kot:
Ti as n’Kala ishe,
as në Kishë
prandaj vendosa
këtë letër me ta nisë.

Turqit, turqit, o At,
kanë ardhë prapë.
Çadrat kanë ngritë
në Shkup e n’ Ulqin,
shatorret në Tiranë,
në Prishtinë,
si në “baçe” të babës.

Kanë ardhë e na thonë
se Ti, Mbreti im,
nuk je sjellë mirë
e se,
kund me ngulë
s’i ke lanë;
aq mëní të kanë marrë
sa as “surratin”
s’duen me ta pa
n’saraje t’mbretucave
tanë.

Kanë ardhë e na thonë se
“Arnautë e turq
vëllazën kemi qenë
e gjaku s’ka si me u nda,
prandaj
gabim shkrue asht historia,
e duhet ripa”.

Asht koha me u kthye,
Mbreti im,
se na bjerrë jemi
e Stambollin me ua tregue
s’po dimë;
o kthehesh Ti,
o ata na zhbinë.
P.s.: Për shumë mot shën Gjergji iliro-arbnor!☀️🍷🇦🇱