Në Polici punojnë edhe invalidët e luftës

16.11.2016 10:13:47

Në stacionet policore në Mitrovicë dhe në komunat e rajonit, Skenderaj e Vushtrri, si dhe në Drenas, punojnë mbi 100 policë, pensionistë invalidorë. Shumica prej tyre kanë shkallën e invaliditetit 20 për qind, por ka të tillë që kanë edhe shkallë më të lartë. Për shumëkënd në Drenicë e në Shalë Policia dhe Ushtria nuk mbahen me invalidë

Vendimi i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale i Republikës së Kosovës, i cili tashmë është shndërruar në ligj që askush në Kosovë të mos mundë t’i marrë dy pensione, si dhe vendimi që të punësuarit të mos mund të marrin nga dy paga apo pagë e pension, ka ngjallur reagime të shumta në rajonin e Shalës dhe të Drenicës.

Në komunat Mitrovicë, Vushtrri dhe Skenderaj, si dhe në Drenas ndalesa e pensioneve të pleqërisë dhe atyre kontributdhënës për ato që gëzojnë edhe pensione të tjera, siç janë pensionet për dëshmorë, ka revoltuar këta të fundit, të cilët kanë akuzuar Ministrinë e Punës dhe të Mirëqenies Sociale, si dhe ministrin Arban Abrashi se nuk kanë vepruar njësoj për të gjithë kategoritë të cilët gëzojnë pensione, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Sipas tyre, nëse një kategori e njerëzve nuk mund t’i gëzojë të drejtat e tyre për t’i marrë pensionet, sidomos pensionet kontributdhënëse, vetëm pse u është njohur e drejta për të marrë edhe ndonjë pension tjetër, siç është pensioni për dëshmorë, atëherë Qeveria nuk duhet të lejojë që as kategoria tjetër e njerëzve, shumica e të cilëve punojnë në institucionet më të larta të shtetit, t’i marrin nga dy paga e as pagë e pension, siç po ndodh tani.

Zukë Dajaku, nga Skenderaj, ish-luftëtar i UÇK-së, ka thënë se Qeveria e Kosovës ka vepruar në stilin për “dikë nënë e për dikë njerkë”.

Ai ia ka dërguar një letër ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, të cilit i tërhiqet vërejtja se njerëz në institucionet kosovare madje në ato më të ndjeshmet, siç janë Policia dhe Ushtria, ka të tillë të cilët marrin edhe pagë edhe pension.

Ai pohon sigurt se MPMS-ja tani është duke vepruar me standarde të dyfishta dhe kjo ka bërë që populli të revoltohet.