Në qendër të Mitrovicës do të ndërtohet një shatërvan

Në qendër të Mitrovicës do të ndërtohet një shatërvan

06.04.2017 15:45:16

Në sheshin “Mehë Uka”, në qendër të qytetit të Mitrovicës, do të ndërtohet brenda dy muajve një shatërvan (fontanë) e bukur, e tillë çfarë sipas autoriteteve komunale, nuk ka ende në Kosovë.

Sipas një njoftimi të Komunës së Mitrovicës, përcjell Telegrafi, biznesmenët e njohur, Fatmir Zymberi, pronar i KFC-së dhe Agron Mikullovci, pronar i “Emonës”, kanë shprehur dëshirën dhe vullnetin që me mjete të veta financiare të ndërtojnë shatërvanin (fontanën), në hapësirën ndërmjet dy objekteve të tyre afariste.

Këtë vendim të tyre, Mikullovci e Zymberi, ia kanë paraqitur të enjten kryetarit të Komunës, Agim Bahtiri, në zyrën e tij.

Ata i thanë kryetarit Bahtiri, se brenda pak ditësh do t’i dorëzojnë objektin ideor të një shatërvani (fontane) të ngjashme me ato nëpër metropolet evropiane, duke kërkuar nga ai që shërbimet e komunës t’i kryejnë menjëherë të gjitha procedurat ligjore për fillimin dhe mbarimin e e punëve pa pengesa.

Kryetari Bahtiri, falënderoi shumë investitorët Zymberi e Mikullovci për këtë donacion, të cilin e vlerësoi si shumë të rëndësishëm për qytetin dhe qytetarët e Mitrovicës.