Në Qendrat Korrektuese nuk kanë mundësi të bëjnë kontrolle për sëmundje ngjitëse

21.12.2016 11:52:14

Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës i Avokatit të Popullit, ka realizuar një vizitë në Qendrën Korrektuese për Femra dhe të mitur në Lipjan.

Sipas një raporti lëshuar nga ky institucion konstatohet se Qendra Korrektuese dhe qendrat tjera ku mbahen të paraburgosurit dhe të dënuarit, ende nuk kanë mundësi të bëjnë kontrolle sistematike për tuberkulozë dhe sëmundje transmetuese të dëmshme, siç janë: TBC, HBS, HCV dhe HIV, prandaj inkurajon autoritet relevante të ndërmarrin hapa për kontrolle gjithëpërfshirëse mjekësore dhe që në regjistra të futen më shumë hollësi lidhur me shkaqet e lëndimeve trupore dhe vetëlëndimeve, përfshirë edhe fotografitë së bashku me datën e ngjarjes.

Po ashtu, MKPT inkurajon për mos prezencë të zyrtarëve të sigurisë gjatë dhënies së shërbimeve mjekësore, ashtu që, shërbimet mjekësore të ofrohen jashtë vëzhgimit dhe dëgjimit të zyrtarëve korrektues për të ruajtur konfidencialitetin dhe raportin mjek-pacient, përveç në raste specifike.

Gjatë vizitës, MKPT ka vërejtur se ekziston një atmosferë e tensionuar ndërmjet të miturve dhe zyrtarëve korrektues dhe ndërmjet vetë të miturve dhe  e ka njoftuar drejtorin e Qendrës Korrektuese në Lipjan lidhur me këtë dhe ka kërkuar që të njoftohet me rezultatin e hetimeve.

MKPT konstaton se ndërmarrja e veprimeve adekuate dhe zbatimi i më shumë programe profesionale psiko-sociale, do të ndihmonin në uljen e tensioneve dhe dhunës ndërmjet të miturve dhe duhet të jetë prioritet për autoritet relevante.

MKPT nuk ka pranuar asnjë ankesë nga femrat e dënuara, të paraburgosura dhe të mitura të cilat akomodohen në këtë qendër për keqtrajtim apo përdorim të forcës së tepruar.

Gjatë vizitës, MKPT nuk ka pranuar asnjë ankesë nga të miturit lidhur me të drejtën të vizitohen dhe as sa i përket të drejtës së thirrjeve telefonike.