Në QIK u mbajt ekspozita e piktorit Saraçini

02.06.2017 13:49:29

Mbrëmë në Qendrën Informative Kulturore u mbajt ekspozitë e veprave të piktorit të ndjerë Bedri Saraçini. Ekspozita, e cila u mbajt me rastin e njëvjetorit nga vdekja e piktorit të mirënjohur shqiptar, u organizua nga QIK dhe Sofra gjakovare – Shkup.

 

I njohur në trojet shqiptare dhe më gjërë si një piktor briliant, veprat e tij do të mbesin një thesar i çmueshëm në botën e artit figurativ. Krijimi e tij kalon nëpër disa faza artistike, nga realizmi në impresionizëm dhe ekspresionizëm. Ka përpunuar motive të ndryshme si: rrënojat, ndryshimet tektonike, vullkane, përmbytjet dhe të tjera.

Bedri Saraçini ka realizuar mbi 15 ekspozita personale dhe gjithashtu ka marrë pjesë në shumë ekspozita grupore në Maqedoni dhe Shqipëri, njofton AIM.

Gjatë veprimtarisë së tij ka pikturuar mbi 4.000 vepra, duke mos i numëruar këtu portretet, por jo të gjitha janë ekspozuar në ekspozitat e tij personale dhe në grup.

Shumë vepra të tij gjenden në shumë vende të Evropës dhe kontinente tjera nëpër botë. Ai ka punuar në Kroaci, Mal të Zi, Greqi, Turqi, Holandë, Spanjë, e tjerë, ku ka realizuar vepra të shumta artistike dhe kontakte me artistë të mëdhenj, me çka edhe e ka zgjeruar opusin e tij artistik.