Në QKUK sulmohet mjeku i emergjencës, kërkohet më shumë siguri

19.09.2016 13:26:47

Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka njoftuar se familjari i një pacienti ka sulmuar para dy ditësh një mjek të emergjencës, duke e penguar atë të kryej punën e tij.

QKUK përmes një komunikate ka theksuar se rastin e ka iniciuar menjëherë në polici, derisa ka kërkuar nga organet e drejtësisë që sa më shpejt të zbardhin të vërtetën e këtij incidenti.

Lexoni njoftimin e plotë të QKUK-së:

Shërbimi emergjent i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës,  njofton se me datën 17.09.2016, në vendin e tij të punës është sulmuar fizikisht specialisti i mjekësisë emergjente S. B,  nga një familjar i një pacienti. Rasti menjëherë është proceduar tek Policia e Kosovës e cila në bashkëpunim me organet tjera kompetente po merret me rastin në fjalë. Për rastin në fjalë, drejtori i  shërbimi emergjent ka njoftuar edhe drejtorinë e përgjithshëm të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës,  duke  shpjeguar se  janë duke u grumbulluar të gjitha faktet për këtë rast.

Stafi i Shërbimit Emergjent në QKUK,  kërkon nga organet e drejtësisë që sa më shpejtë të  zbardhin të vërtetën në lidhje me rastin dhe të ofrohet siguri maksimale në punë në mënyrë që të kryejnë punën e tyre pa presione dhe frikë nga familjarët e  frustruar  që janë jashtë vetvetes duke menduar  se mjekët janë fajtor për atë çka ju ka ndodhur atyre. Ky nuk është rasti i parë i sulmit ndaj mantelbardhëve të  Qendrës Emergjente , meqë  aty  trajtohen pacientë  me sëmundje të rënda, përfshirë rastet  e varura nga alkooli, droga, por edhe rastet të tjera të të lënduarve me armë zjarri dhe aksidente të ndryshme, ku fyerjet, presionet dhe sulmet fizike ndaj stafit kanë qenë evidente.

Stafi i Shërbimit Emergjent kërkon nga  gjithë familjarët e pacientëve të mos  pengojnë punën e tyre, por të lejojnë që punën ta kryejnë pa presione ngase  profesionistit shëndetësor është mjaftë e ndjeshme dhe  kërkon intervenim të shpejtë.

Mbesim me shpresë se organet e rendit dhe ato të drejtësisë do të kryejnë punën e tyre dhe stafi të  ketë siguri gjatë kryerjes së shërbimeve mjekësore.