Në rrethana të panjohura, ndërron jetë aktivisti i VV-së Astrit Dehari që po mbahej në burg

05.11.2016 18:15:49

Ka ndërruar jetë në rrethana krejtësisht të panjohura aktivisti i Vetëvendosjes Astrit Dehari.

I njëjti ishte në paraburgim në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, raporton lajmi.net.

Lajmin për këtë rast e ka bërë të ditur Shërbimi Korrektues i Kosovës, i cili njofton opinionin se sot më 05.11.2016 në rrethana ende të pasqaruara, i paraburgosuri A.D. ndrroi jetë në Spitalin Rajonal të Prizrenit.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës, shpreh keqardhje të thellë për rastin tragjik të ndodhur sot në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Shërbimi Korrektues i Kosovës në bashkëpunim me institucionet tjera përgjegjëse së shpejti do të japin raport për rrethanat dhe detajet e këtij akti tragjik”, thuhet në njoftim.

Sipas tyre, i pandehuri A.D. ishte në paraburgim për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale nga neni 136, par. 1, lidhur me nenin 135, par. 1, nënpar. 1.7 të KPRK-së dhe dyshim i bazuar për veprën penale neni 374 par. 1 të KPRK.

Ndryshe gjatë ditës së djeshme, Lëvizja Vetëvendosje mbajti një aksion simbolik pranë burgut të Prizrenit, aty ku sipas tyre padrejtësisht po mbahej, 67 ditë Astrit Dehari.