Në Shkup: Diplomojnë kadetë nga radhët e komuniteteve

Në Shkup: Diplomojnë kadetë nga radhët e komuniteteve

01.12.2017 15:01:09

Në kazermën ushtarake “Goce Dollçev” të Shkupit është mbajtur ceremonia e diplomimit të kadetëve të rinj nga Maqedonia, Bosnja Hercegovina, Mali i Zi dhe Kosova.

Nga FSK-ja diplomuan dy kadetë (një nga radhët e komuniteti serb e tjetri nga ai boshnjak) si dhe dhanë betimin edhe dy kadetë të rinj, po nga radhët e komuniteteve.

Në ceremoninë e diplomimit morën pjesë ministrja e Mbrojtjes së Maqedonisë, Radmilla Sheqerinska, komandanti i Akademisë Ushtarake kolonel Orce Popovski, familjarë të kadetëve, oficerë dhe zyrtarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes të Maqedonisë, të Ministrisë për FSK-në, gjeneral brigade Enver Cikaqi, komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, Azemina Qullum-shefe e Zyrës për Komunitete, si dhe oficerë të lartë të FSK-së.

Në emër të Ministrisë për FSK-në, Azemina Qullum, shefe e Zyrës për Komunitete e cila ndër të tjera tha “Jam e privilegjuar që në emër të ministrit Rrustem Berisha dhe komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Ramës të ju përshëndes, në këtë ngjarje me rëndësi me rastin e diplomimit me sukses kadetëve të rinj”.

Ajo, gjithashtu ka përshëndetur edhe stafin e Akademisë së Mbrojtjes, për kontributin e dhënë në shkollimin e kadetëve të rinj.

“Kjo është edhe një dëshmi e bashkëpunimit të suksesshëm të dyja ministrive tona për ndërtimin e paqes dhe qetësisë në rajon”.

Duke iu drejtuar kadetëve të diplomuar të FSK-së, ajo tha: “Kadetë të diplomuar, gjatë shkollimit tuaj ju keni treguar sukses, dhe keni dhënë një zotim të madh dhe përkushtim profesional për t’u bërë oficerë të përgatitur mirë. Këtë e keni arritur dhe unë ju përgëzoj!”

Ndërsa, në Ambasadën e Kosovës në Shkup, në prani të konsullit të Republikës së Kosovës, Agim Krasniqi, gjeneralit Enver Cikaqit, zyrtares së MFSK-së, znj. Azemina Qullum e të oficerëve të lartë të FSK-së dhe të Akademisë së Maqedonisë, dhanë betimin dy kadetët e rinj të FSK-së, pjesëtarë të komuniteteve, të cilët për katër vite do t’i vazhdojnë studimet në akademinë ushtarake “Gjeneral Mihailo Apostollski” në Shkup.