Në Shqipëri: MM: Helmimi në mitingun e PD jo nga lëndët helmuese luftarake

16.06.2017 18:40:38

“Konstatojmë se lënda nuk është luftarake”. Me këtë frazë, Forcat e Armatosura i kthyen zyrtarisht përgjigje Prokurorisë së Tiranës në vijim të hetimeve që po zhvillohen për lëndimin e 146 tubuesve demokratë në bulevard.

Burimet thanë se, megjithatë, në ekspertizë nuk është përcaktuar se çfarë lënde ishte ajo që u shkaktoi pjesëmarrësve dhimbje sysh e djegie të lehta në trup, simptoma këto që i çuan disa prej tyre në spital.

Por nga ana e saj, ekspertiza e Policisë Kriminalistike përcakton se bëhet fjalë për lëndë të lëshuara nga prozhektorët, një version ky që nuk e ka bindur ende Prokurorinë.

Për këtë shkak, por edhe sepse Mjekësia Ligjore nuk përcaktoi se çfarë elementesh u gjetën në gjakun e 22 pacientëve që u trajtuan në spital, Prokuroria do të presë përgjigje nga laboratorët gjermanë për të konfirmuar dyshimet e saj.

Grupi i hetimit nuk e ka regjistruar çështjen sipas referimit të policisë, për dyshimet se është ndotur ajri, por për veprën 325, që është pengim i subjekteve elektorale për të zhvilluar aktivitetin e tyre.