Në Shqipëri/ Vetëm 8 orë lëvizje, pas orës 13.00 rrugët bosh; të gjithë në karantinë

23.03.2020 00:12:10

Nesër do të keni vetëm tetë orë kohë për të lëvizur në këmbë nga 05:00 e mëngjesit deri në 13:00. Në këtë fashë orari do të jenë hapur të gjitha tregjet, dyqanet, furrat e bukës dhe farmacitë për t’u furnizuar më pas rikthehuni në shtëpi sipas rregullave.

Por kush mund të lëvizë me makinë? Nga ora 05:00-13:00, lejohen të qarkullojnë vetëm makinat që shkojnë dhe vijnë nga puna, brenda fashave të miratuara më parë deri në orën 08:00 të mëngjesit dhe kthimi në banesë brenda orës 13:00.

Pra, nga ora 05:00-13:00 nuk është qarkullim i lirë për të gjithë, por vetëm për makinat e autorizuara dhe punonjësit të cilët janë vetëdeklaruar online për udhëtimin për arsye pune apo të tjera, të cilëve u është konfirmuar nga policia. Kujdes duhet që të bëjnë të gjithë ata drejtues mjetesh të cilët konstatohen në shkelje, pra që nuk u është konfirmuar udhëtimi i tyre sipas vetëdeklarimit apo nuk janë të autorizuar për të lëvizur.

Nuk kanë kufizim orari mjetet që transportojnë produkte apo mallra ushqimore, delivery, produktet farmaceutike, policia e shtetit, forcat e armatosura, mjetet e emergjencave mjekësore e civile si dhe shërbimet kritike shtetërore. Pas orës 13:00 rikthehet karantina, ku përpos mbylljes së furrave të bukës, dyqaneve dhe farmacive, ndalohet qarkullimi i mjeteve, këmbësorëve, biçikletave, ciklomotorëve dhe motomjeteve, që nuk janë të autorizuara.