Në sipërfaqe u dolen bash të gjitha

14.12.2017 19:08:28

 

Nga: Bajram Gecaj:

Për një kohë nuk u isha referuar me emërtimet meritore, duke shpresuar se rritja elektorale në zgjedhjet e qershorit më në fund do t’u kthjellte mendjet dhe do të fillonin të silleshin si subjekt i civilizuar, parimor e demokratik.

Megjithatë, ditëve të fundit ata rishtazi provuan se emërtimi Lëvizja Anarkiste e Vetëvendosjes (LAV) i portretizon në mënyrën më besnike të mundshme, pasi që anarkinë e kaosin tani po e shtrijnë edhe në anarki idesh, parimesh e veprimesh brenda vetvetes. Pra, anarkinë të cilën deri dje dhunshëm ja servuan institucioneve, shtetit dhe popullit të Kosovës, tani u është kthyer bumerang brendapërbrenda subjektit të tyre.

Por mbi të gjitha, LAV gjithashtu provoi se akuzat e tyre të përditshme kundër “Klanit PRONTO” ishin vetëm propagandë, mashtrim, farsë elektorale dhe shtirje e tyre plotësisht jo-parimore. Kjo në veçanti pas arritjes së marrëveshjes së tyre të koalicionit me kandidatin e AAK-së për Istogun, kandidat ky i cili paraprakisht kishte lidhur një marrëveshje të tillë edhe me PDK-në. Dhe rrjedhimisht, “parimorët” anarkistë tani edhe formalisht mund të konsiderohen të vëllazëruarit e PAN-it, me të cilët edhe ashtu deri dje bashkëpunonin fshehurazi nga thellësia e nëntokës.

Dhe së fundmi, duke u nisur nga përvoja e mëhershme e Shpend Ahmetit me Jahtin, nuk do të befasohesha fare po të shohim në një të ardhme të afërt edhe sorollatjet e zyrtarëve të LAV-it nëpër “GO-GO-GIRL” klubet e Gani Dreshajt! Megjithatë, unë jam shumë i bindur se qytetarët e urtë të Istogut nuk do të lejojnë kurrë dhe për asnjë çmim që një kulturë e tillë “striptizi” të instalohet në komunën e tyre!