Në tre muajt e fundit, 25 mijë persona të prekur nga gripi

31.01.2018 21:34:33

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHP) ka njoftuar se nga 1 tetori deri më 31 janar 2018  janë raportuar gjithsej 24.932 raste te dyshimta në grip, 3.357 raste të infeksioneve respiratore akute dhe 62 raste të rënda respiratore akute.

Në komunikatë thuhet se Instituti Kombëtar po përcjell me vëmendje ecurinë epidemiologjike të gripit sezonal në tërë territorin e Republikës së Kosovës duke intensifikuar punën në terren

“Nga 01 tetori deri më 31 janar  2018 në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë raportuar gjithsej 24.932 raste te dyshimta në grip, 3.357 raste të infeksioneve  respiratore akute  dhe  62 raste të rënda respiratore  akute). Rastet  raportohen  nga  të gjitha  komunat  e  Kosovës me përjashtim  të komunave  me  popullatë serbe”, thuhet në komunikatë.

Më tej IKSHP thotë se numër më i madh i rasteve raportohet nga komuna e Prishtinës, Prizrenit dhe Podujevës, por asnjëra nuk  e kalon pragun epidemik.

“Në laboratorin e Qendrës kombëtare të gripit – IKSHPK  deri  më 31 janar  2018  janë testuar gjithsej 306 mostra të dyshimta në grip. Prej tyre 132 mostra  kanë  rezultuar pozitive:  44 mostra  Influenza A, prej tyre 1rast A(H1)v dhe  87 mostra  Influenza B prej të cilave 48 raste Influenza B tipi Yamagata”.

Instituti Kombëtar tashmë ka dhënë rekomandime të duhura profesionale, që qytetarët të kenë kujdes dhe të mos dalin gjatë në ambiente të ftohta, të mos qëndrojnë në lokale të mbyllura me dendësi të madhe të njerëzve, dhe të përdorim sa më shumë lëngje të nxehta dhe vitamina, kur të kihet parasysh se ky tip B i gripit nuk gjendet në vaksinën e sivjetme kundër gripit sezonal.

Sipas IKSHP, një informatë inkurajuese për qytetarët se tipi B Yamagata (“Gripi Japonez”) nuk shkakton shpërthime epidemike dhe është më pak i rrezikshëm se tipi A (H3N2) (“Gripi Australian”), i cili mund të shfaqet në Kosovë

“Kemi kërkuar nga Ministria e Arsimit të raportojë në baza ditore mungesat e nxenësve në të gjitha shkollat e Kosovës, që paraqet një indikator të rëndësishëm për të rekomanduar ndërprerjen eventuale të mësimit  në shkolla.

Aktualisht situata epidemiologjike është nën kontroll sa i përket gripit sezonal, por me gjendjen aktuale klimatologjike që po mbretëron në Kosovë, ku eziston mundësia e rritjes së rasteve”, thuhet në komunikatën e IKSHP.