Në vend të reagimit/ Stop diskriminimit të shqiptarëve në Serbi!

08.07.2018 09:27:26

Forumi shqiptar për zhvillim ekonomik në Serbi, përmes një reagimi ka bërë me dije se “Integrimi i shqiptarëve si komb në bashkësinë evropiane, pavarësisht emrit të shtetit ku ata jetojnë, nuk duhet të kryhet në kurriz të shqiptarëve autoktonë të Serbisë”.

Nga Sevdail Hyseni

Në vazhdim, kërkohet nga ky Forum që Presidenti i Kosovës, i cili po udhëheq negociatat mes Kosovës dhe Serbisë, domosdoshmërish duhet të ketë në fokus të punës së tij edhe mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të bashkësisë shqiptare në Serbi, të cilët vijojnë të pësojnë dhe të jetojnë pasojat e dëmshme të marrëveshjeve të deritanishme të realizuara mes Kosovës dhe Serbisë.

Fakt është që marrëveshjet e arritura deri me sot mes dy palëve janë zbatuar në njëanshmëri, ndaj sipas këtij Forumi, zell i madh dhe nxitim i kahershëm shfaqet në zbatimin e elementëve që dëmtojnë dhe diskriminojnë shqiptarët në Serbi, ndërsa për mbrojtjen e të drejtave të tyre marrëveshjet nuk janë zbatuar akoma nga pala serbe dhe nuk dihet nëse do të zbatohen apo jo.

“Shkeljet më flagrante ndaj shqiptarëve në Serbi lidhen drejtpërdrejtë me mohimin e të drejtave bazike të tyre. Sikurse të mos mjaftonin format e shumta diskriminuese vetëm për shqiptarët përmes pasivizimit të adresave të vendqëndrimeve, privimit nga dokumentacioni identifikues, apo mohimit të të drejtës për pjesëmarrjeje në shit/blerjen e pronave publike, pala serbe po ushtron presion të vazhdueshëm dhe në formë represive edhe përmes izolimit të popullatës shqiptare që banon në trojet e tyre autoktone në Serbi, duke i shtrënguar dhe detyruar të shpërngulen”, thuhet, mes tjerash në reagimin e këtij Forumi.

Gjithashtu, Forumi shqiptar për zhvillim ekonomik në Serbi, nënvizon format klasike të izolimit, që po zbatohet gjerësisht është pengimi i anëtarëve të familjeve shqiptare që banojnë jashtë Serbisë, që të udhëtojnë lirshëm në vendlindjet e tyre në Medvegjë, Bujanoc apo Preshevë:

– Po mbyllet dekada e dytë nga lufta e fundit në këto troje, periudhë e cila lidhet drejtpërdrejtë me shpërnguljen më të madhe të shqiptareve nga trevat e tyre në Serbi. Fëmijët e atëhershëm të moshave 5 deri në 15 vjeç, sot janë 20 vite më të rritur dhe mbi 90% e kësaj gjenerate jeton jashtë vendlindjeve së tyre.

– Tashmë shumë prej tyre kanë krijuar familje në vende të ndryshme të botës dhe evidentohen shumë raste të martesave me shtetas të huaj apo me shtetësi shqiptare. Sot, kur këto familje të reja dhe të përziera që kërkojnë të vizitojnë të afërmit e tyre në Serbi përballen me një problematikë dhe diskriminim të ri. Me trevat shqiptare në Serbi, aeroporti i Prishtinës ka afërsinë më të madh, ndaj natyrshëm që këto familje përdorin këtë aeroport për të ardhur në vendlindjen e të parëve të tyre, por ja që marrëveshjet për “ lëvizjen e lirë” e lë jashtë këtë kategori popullate. Po! E lë jashtë! Sepse duke qenë se së paku njëri nga anëtarët e këtyre familjeve është shtetas i huaj (jo shtetas serb), atij automatikisht i refuzohet hyrja në Serbi nga kufiri lindor i Kosovës, dhe kështu e tërë familja detyrohet të kthehet mbrapa në Prishtinë dhe të zgjedhë për të shkuar në trojet shqiptare në Serbi, përmes rrugës Prishtinë – Shkup – Kumanovë ose Prishtinë –Podujevë – Kurshumli – Leskovc.

– Ky lloj kufizimi prek edhe kategorinë e të huajve që vijnë për biznes në pjesën jugore të Serbisë,banuar kryesisht me shqiptarë. Si nuk qenka diskriminuese kjo marrëveshje kur të njëjtët kategori udhëtarësh të sipërcituar munden të udhëtojnë lirshëm drejt Serbisë nëse nga aeroporti i Prishtinë shtyjnë në Serbi nga kufiri verior i Kosovës, por nuk lejohen të udhëtojnë nga kufiri lindor i Kosovës. Dhe ky diskriminim ndodh sepse Kosova në lindje kufizohet me shqiptarë autoktonë, ndërsa në kufijtë veriorë të Kosovës nuk ka shqiptarë.

– Ndaj, lind domosdoshmëri që Qeveria e Kosovës në raste të tilla të aplikojë reciprocitet dhe nuk duhet të qëndrojë aleate me Qeverinë e Serbisë në vazhdimin e diskriminimit të shqiptarëve në Serbi. Kufijtë e Kosovës si në Veri dhe në Lindje duhet të trajtohen njësoj dhe me të njëjta të drejta. Ndaj duhet t’i bëhet stop diskriminimit poshtërues që ju bëhet shqiptarëve në Serbi dhe Qeveria e Kosovës ka rol themelor për frenimin dhe ndalimin e të gjitha formave të diskriminimit ndaj popullatës autoktone shqiptare në Serbi.

– Mungesat e thella të infrastrukturës rrugore, ajrore dhe hekurudhore, shkeljet flagrante të të drejtave të shqiptarëve dhe pengesat e vazhdueshme që ju bëhen investitorëve të huaj për investime, janë tregues të dukshëm që trojet autoktone shqiptare në jug të Serbisë nuk janë të zhvilluara ekonomikisht. Ndaj, FSHZHES i drejtohet Qeverisë së Kosovës të rishikojë marrëveshjen për lëvizjen e lirë, të mbrojë të gjitha të drejtat e shqiptarëve në Serbi dhe ushtrojë sot, të gjitha atributet e saj për ndalimin e diskriminimit dhe represionit ndaj bashkësisë shqiptare në Serbi! Nesër është vonë!”, përfundon reagimi i Forumit shqiptar për zhvillim ekonomik në Serbi.