Në vitin 2016, kanë humbur jetën 7200 emigrantë

16.12.2016 23:15:50

Rreth 7200 emigrantë kanë humbur jetën këtë vit, gjysma e të cilave në Detin Mesdhe, që është 20 për qind më shumë se vitin e kaluar, njoftoi sot Organizata Ndërkombëtare për Migrim (IOM).

Rruga nëpër Detin Mesdhe është nga më të rrezikshmet, dhe nëpër të kanë ardhur në Evropë këtë vit rreth 360.000 emigrantë, raporton AFP, transmeton KosovaPress.

Gjatë vitit 2016 kanë humbur jetën dhe janë zhdukur 7189 emigrantë, nga ta 4812 emigrantë kanë humbur jetën apo janë zhdukur duke u përpjekur për të kaluar Mesdheun në rrugën e tyre për në Itali, Greqi, Spanjë dhe Qipro.

Vitin e kaluar në Mesdhe kanë humbur jetën 3567 emigrantë dhe rritja e numrin të viktimave gjatë këtij viti është dramatike, duke pasur parasysh se në vitin 2016 numri i emigrantëve, të cilët kanë ardhur në Evropë është përgjysmuar.