Negociatat e vështira për paqen në Siri

16.10.2016 17:05:39

SHBA dhe Rusia vazhdojnë të kenë qëndrime të ndryshme për gjendjen në Siri. SHBA kërkon vendosjen e armëpushimit, ndërsa Rusia thotë se për gjendjen duhet të vendosin sirianët.

As breshëria e bombave mbi qytetin sirian Aleppo nuk i detyroi fuqitë e mëdha që të afrojnë pozicionet. SHBA e ka ndërprerë së fundi madje përkohësisht në tërësi dialogun me Rusinë për gjendjen në Siri, për shkak të sulmeve ruse në këtë vend. Ndërsa në këtë takim, të dy palët, Rusia dhe SHBA, akuzoheshin mes vete se po e pengojnë armëpushimin. Ndaj takimi i ministrave të Jashtëm në hotelin Beau Rivage në Lozanë, mund të konsiderohet si sukses. Ndonëse përparimet mund të maten e milimetra.

Gati pesë orë kanë biseduar ministrat e Jashtëm Sergej Lavrov dhe John Kerry, në prezencën e përfaqësuesve të Arabisë Saudite, Katarit, Iranit dhe Turqisë, si dhe Irakut, Egjiptit dhe Jordanisë. Në fund u tha se ekzistojnë disa mundësi për zgjidhjen. Ndërsa Kerry konstatoi se bisedimet mund të vazhdojnë të hënën, nga pala ruse u kumtua se problemet në Siri duhet të zgjidhen nga vet sirianët.

Në fund nuk u mbajt takimi i parashikuar me gazetarë. Ndonëse u botuan fotografi nga përshëndetjet në hotel. Ministrat kumtuan në fund se procesi për një zgjidhje politike të konfliktit në Siri “duhet të fillojë sa më parë”. Lavrov tha se ekzistojnë “disa ide, të cilat janë trajtuar në këtë takim”. Ndërsa Kerry konfirmoi se “ka ide të reja” për vendosjen e armëpushimit.

Në fund nuk ka pasur një dokument përfundimtar. Nuk dihet madje nëse ministrat kanë pasur si synim hartimin e një dokumenti të përbashkët përfundimtar. Burimet amerikane thonë se në takim është folur edhe për mundësinë e furnizimit të popullatës civile në Alepo, pavarësisht bombardimeve të vazhdueshme. Por, nuk është biseduar asgjë për të ardhmen e Asadit, të paktën nuk është kumtuar për publikun.

Ministri i Jashtëm amerikan, Kerry, vazhdon udhëtimet e tij. Kësaj radhe në Londër, ku këtë të dielë do të informojë hologët e tij nga Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania për bisedimet. Si sinjal pozitiv vlerësohet edhe prania në këto bisedime e Iranit. Irani konsiderohet së bashku me Rusinë, si mbështetësit kryesorë të regjimit të Asadit në Siri.