Negociatat pas një viti, Moody’s: Shqipëria, borxh i qëndrueshëm

09.12.2016 16:11:36

Gjiganti ndërkombëtar i financave Moody’s e vlerësoi borxhin publik të Shqipërisë si të qëndrueshem me notën B1 duke deklaruar se pozicioni financiar i vendit  është përmirësuar falë disiplinës fiskale.

“Ecuria e fortë buxhetore mbështet parashikim tonë se në 2016-ën, deficiti do të zbresë në 2.5 përqind, më i ulëti në dy dekada”, thotë agjencia.

Agjencia vlerëson se ndonëse borxhi i lartë publik mbetet një sfidë për vendin, ai tashmë ka filluar të ulet. Sipas saj, vitin e ardhshëm borxhi do të zbresë në 69 përqind, i ndihmuar edhe nga gjallërimi i aktivitetit ekonomik.

“Pas vitit 2014, rritja ekonomike ka qenë me bazë më të gjerë, e mbështetur si nga forcimi i konsumit ashtu dhe investimet private”, thuhet në raportin e Moody’s.

Sipas Moody’s, rritja ekonomike do të jetë 3.4 përqind këtë vit dhe do të vazhdojë të përshpejtohet deri në 4.1 përqind gjatë dy viteve të ardhshme.

“Forcimi i rritjes ekonomike dhe lufta kundër informalitetit kanë rezultuar në një përmirësim për t’u theksuar në tregun e punës duke ulur 2.9 përqind papunësinë”, vlerësohet në raport.

Gjiganti ndërkombëtar vlerëson se reforma në drejtësi dhe ajo administrative do të përmirësojnë ndjeshëm klimën e biznesit duke dhënë edhe një datë për hapjen e negociatave me BE.

“Ne presim që zbatimi i reformave të fundit të rrisin mundësitë që Shqipëria të çelë formalisht negociatat me BE-në në fund të 2017-ës, por procesi i antarësimit do të jetë i gjatë”, thotë ajo.