Nëna e çoi drejt vdekjes në kampet e ISIS/ Historia e Alvinit, nga ferri në liri

07.11.2019 11:47:57

Sot Alvin Berisha është i lirë. Tmerri dhe makthi për vogëlushin shqiptar ka përfundur. Historia e Alvin Berishës theu zemrat e shumë personave sidomos në Shqipëri dhe Itali.

Babai i tij, Afrim Berisha, e kërkonte prej vitit 2014, kohë kur nëna e tij shqiptare, braktisi familjen në Itali ku jetonin prej vitesh dhe e mori Alvinin, në atë kohë 6 vjeç, në kampin Al Haul në Siri, (kufi me Turqinë). Jeta atje u kthye në tragjedi.

Por kush është Valbona Berisha, e reja që mori të birin dhe shkoi t’i shërbente ISIS, për të humbur më pas jetën?

Valbona Berisha, nga Durrësi, iku nga Italia për në Siri në dhjetor 2014. Ajo jetonte në Via Milano në Barzago, me bashkëshortin e saj Afrimin dhe tre fëmijët e tyre. Kur vendosi që të largohej nga shtëpia, pa i thënë asgjë burrit, Valbona mori vetëm Alvinin dhe u nis për t’i shërbyer Shtetit Islamik të ISIS, ku dyshohet se ka humbur edhe jetën.

Në Siri, Valbona Berisha ka ndryshuar emër dhe është quajtur Yushra, është martuar me një xhihadist shqiptar me të cilin pati dhe një djalë tjetër. Valbona Berisha humbi jetën së bashku me bashkëshortin xhihadist e djalin e tyre gjatë një shpërthimi, teksa po udhëtonin me makinë. Në këtë shpërthim mbeti i plagosur rëndë dhe Alvini, dëmtim që e bënte që të çalonte me një këmbë.

Roli i gazetarëve

Emisioni investigativ “le Iene” arriti të gjejë 11-vjeçarin dhe të bëjnë takimin përlotës mes babait dhe djalit pas 5 vitesh. Por sërish u ndanë me lot: Alvini nuk mund të nxirrej nga kampi nën pushtetin kurd, mbi të gjitha me rritjen e tensioneve mes Turqisë dhe Sirisë. Liria e tij u bë e mundur sot plotësisht falë ndërhyrjes së shtetit italian.