Nënkryetari i Listës Serbe: Serbia jep 40 mijë rroga në Kosovë

12.11.2019 23:29:59

Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq ka pranuar se Serbia vazhdon të financojë strukturat paralele, duke thënë se shteti serb jep rroga për qytetarët serbë në Kosovë.

“Mbi 40 mijë qytetarë në Kosovë marrin rroga nga Serbia. Kjo është fakt”, tha Simiq.

Ai, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se kryetari i partisë serbe SLS, Sllobodan Petroviq ka marrë nga Minsitria e Bujqësisë 40 mijë euro për të xhiruar një spot elektoral.

Duke folur për arrestimin e Marko Gjuriqit, ai ka thënë se më këtë veprim është bërë teatër nga ana e Prishtinës.

Nënkryetari i Listës Serbe ka thënë se në veri jetojnë mbi 60 mijë qytetarë dhe sipas tij nuk është e vërtetë që atje ka më shumë krim se në zonat tjera të Kosovës.

“Në Prishtinë shkalla e kriminalitetit është shumë më e madhe se në veri, sipas të dhënave zyrtare nga policia [e Kosovës]”.

Simiq ka thënë se të rinjtë nuk po ikin nga Kosova për shkak të Listës Serbe, por për shkak të klasës politike kosovare.