Nënkryetari i LSI-së: Struktura të Rilindjes po shantazhojnë qytetarët

24.06.2017 18:10:50
Nënkryetari i LSI, Luan Rama, në një dalje për mediat pasditen e së shtunës ka akuzuar kryeministrin Rama se shpif dhe dezinformon opinionin publik me akuza ndaj zyrtarëve të LSI-së.
Në deklaratën e tij, Luan Rama i është referuar një denoncimi, të rremë sipas tij, të kryeministrit që akuzonte prefektin e LSI në Sarandë, Ilir Hysi, se me mjetin e tij po qarkullonte në zonë për të blerë vota.

Nënkryetari i LSI ka nënvizuar se nuk bëhet fjalë për zyrtarin e saj, i cili sipas tij përdor një automjet tjetër, por për një shtetas tjetër me të njëjtin emër.

Luan Rama ka deklaruar se, struktura të Rilindjes dhe Policisë së Shtetit janë ato që po përpiqen të shantazhojnë dhe korruptojnë qytetarët e thjeshtë, me qëllim blerjen e votës së tyre. Për këtë, ai i ka bërë një apel edhe kryeministrit Rama.

“Zoti kryeministër, mos u shfaq si person i papërgjegjshëm, por kur publikon lajme të tilla shfrytëzo atributet e tua për të marrë informacionet dhe mos u bjerë në qafë njerëzve të pafajshëm dhe atyre të LSI-së, që nuk mund t’i inkriminosh me veprimet e tua. Dëshpërimin dhe panikun për humbjen mos e shfaq duke sulmuar padrejtësisht qytetarët”, ka thënë Rama.