Nënkryetarja e AAK-së: Taksa nuk hiqet, ndërkombëtarët ta “edukojnë” Serbinë

14.04.2019 10:50:52

Nënkryetarja e Aleancës së Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Magbule Shkodra thotë se taksa e vendosur ndaj produkteve që vijnë nga Serbia do të mbetet në fuqi deri të njohjen nga shtetit fqinj, edhe përkundër presionit ndërkombëtar.

Shkodra tha se ndërkombëtarët duhet që ta “edukojnë” Serbinë në kuptimin politik, ngase nuk mund të neglizhohen më 2 milionë banorët e Kosovës.

“Unë e them qëndrimin që e kemi si AAK pasi që jam zëvendësministre nga ana e Aleancës dhe në cilësinë e nënkryetares së partisë që ne mbetemi të vendosur se taksa duhet të mbetet, taksa deri në njohje të Kosovës”.

“Unë mendoj që BE-ja dhe miqtë tanë do të duhej të koncentroheshin pak më shumë ta edukojnë Serbinë në kuptimin politik nuk mundë t’i neglizhosh dy milionë njerëz që veprojnë në Kosovë ata duhet të edukohen të na pranojnë. Deklarimet e Beogradit janë çdo herë të njëjta do të thotë një gjuhë e tillë është e papranueshme në këtë demokraci të Evropës”, tha Shkodra për Ekonomia Online.

Sipas saj, vendimi i Qeverisë së vitit të kaluar për vendosjen e taksës ka bërë që prodhuesit vendës të rrisin numrin e të punësuarve dhe prodhimin.

“Kam parë në teren taksa ka ndikuar që prodhimi vendorë të stimulohet ka vizituar disa javën e kaluar isha në një biznes i cili ka përfituar nga ministria jonë dhe ata po merreshin me përpunimin e drurit pra ndërtimin e mobilieve kuzhinave të ndryshme dhe gjë që më pëlqeu kishin një numër më të madh të punësuarve dhe të gjitha produktet e tyre tani po shiteshin edhe jashtë Kosovës”.

Por sipas saj, prodhuesit duhet që këtë fazë ta shfrytëzojnë për rritjen e cilësisë së produkteve të tyre, ngase siç thotë ajo taksa nuk mund të mbetet në fuqi gjithmonë.

Nënkryetarja e AAK-së, duke  folur për largimin e të rinjve nga Kosova, tha se është krijuar një kulturë tash e 20 vjet se për tu punësuar duhet patjetër të jesh pjesë e një partie politike.

“Mua më vjen shumë keq ndjehem shumë keq nga ato pamje që po i shoh është gabim kultura që njëfarë mënyre është krijuar që 20 vite nuk është krijuar tani, jo kulturë që 20 vite që njerëzit duhet të jenë në parti për të hyrë në punë është plotësisht gabim kriteri duhet të jetë kriteri profesional”.

“Më vjen shumë keq nga të rinjtë që e ndjejnë veten se nuk kanë perspektivë ne Kosovë unë dëshiroj t’u them është viti i dytë që jemi në qeverise nuk mundë të bëjmë mrekulli, mirëpo po mundohemi të punojmë në atë drejtim. Ministria jonë përmes subvencioneve vetëm në vitin e kaluar ka arritur të krijoj 600 vende pune”, tha Shkodra.