Nënshtrimi

15.02.2017 23:55:49

 Michel Houellebecq

Përktheu: Edit Dibra

– Evropa që ishte në kulmin e qytetërimit njerëzor u vetëvra me dorën e vet brenda pak dhjetëvjeçarëve,- vazhdoi Redizheja me pikëllim; ai s’i kishte ndezur dritat, dhoma ndriçohej nga një abazhur mbi skrivani.

– Gëluan kudo në Evropë lëvizje anarkiste dhe nihiliste, thirrjet për dhunë, mohim të çdo ligji moral. Pastaj, ca vite më vonë, gjithçka përfundoi me çmendurinë e pajustifikueshme të Luftës së parë Botërore. Frojdi s’u gabua, as Tomas Mani: Evropa kishte vdekur përderisa Franca dhe Gjermania, dy vendet më të zhvilluara, ranë prenë e kësaj kasaphane të çmendur. E kalova pra atë mbrëmje të fundit në bar Metropol deri sa u mbyll. U ktheva në shtëpi në këmbë duke i rënë kryq e tërthor gjysmës së Brukselit, kalova pranë lagjes evropiane- asaj fortese të kobshme, të rrethuar me karakatina. Të nesërmen, shkova të takoja një imam në Zaventem. Të pasnesërmen – e hëna e Pashkëve- në prani të rreth dhjetë dëshmitarëve, shqiptova formulën e zakonshme të konvertimit në fenë islame.

S’isha shumë i sigurt në ndaja të njëjtin mendim me të për rolin vendimtar të Luftës së parë Botërore; sigurisht kishte qenë një kasaphanë e pafalshme, por dhe lufta e vitit 1870, s’ishte më pak absurde, të paktën përshkrimi që i bënte Hysmani kishte zhvlerësuar çdo formë patriotizmi; kombet në tërësinë e tyre ishin thjesht një absurditet vrasës dhe këtë, të gjithë njerëzit me sado pak tru, e kishin kuptuar në vitin 1871; prej aty lindi nihilizmi, anarkizmi dhe gjithë ndyrësitë e tjera. Për qytetërimet më të vjetra, s’dija gjë. Kishte rënë nata në sheshinArenes de Lutèce, turistët e fundit i kishin lënë shëndenë vendit; ca fenerë të rrallë shpërndanin mbi amfiteatër një dritë të mekur.  Para se të binte perandoria e tyre, me siguri, romakët kishin pandehur se ishin një qytetërim i përjetshëm; mos kishin vrarë veten dhe ata? Roma kishte qenë një qytetërim i vrazhdë, shumë i aftë në planin ushtarak- një qytetërim mizor gjithashtu, ku njerëzit dëfrenin me dyluftime për vdekje mes njerëzve, apo mes njerëzve dhe bishave. A ekzistonte tek romakët dëshira për t’u zhdukur, një krisje e fshehur?  Redizheja me siguri e kishte lexuar Gibonin, ose autorë të tjerë si ai, të cilëve thjesht sa u dija emrin, ajo bisedë s’ishte kafshatë për mua.

–           Mua s’më pushon goja…- tha ai duke bërë një gjest sikleti. Më mbushi një gotë me boukha, më qerasi sërish me ëmbëlsira; ato ishin të shkëlqyera, kontrasti me hidhësirën e rakisë së fikut ishte i përsosur.

–           U bë vonë, duhet të iki,- thashë me mëdyshje; s’kisha ndonjë qejf të madh të ikja në fakt.

–           Prisni!. Ai u çua, shkoi drejt skrivanisë, pas saj ishin ca rafte me fjalorë dhe manuale. U kthye më një libërth që mbante emrin e tij, botim xhepi me ilustrime, me titull “Dhjetë pyetje për islamin.

–           Ju bëra tri orë predikim fetar teksa unë kam shkruar një libër për këtë, më është kthyer në një mani…Mbase keni dëgjuar të flitet për të?

–           Po, është shitur mirë, apo jo?

–           Tre milionë kopje, -u justifikua ai. -Duket sikur kam një dhunti të fshehtë për t’u bërë popullor. Në të vërtetë, është tmerrësisht i thjeshtë, -u shfajësua sërish ai, – por lexohet me një frymë.

Ishte 128 faqe dhe me shumë ilustrime- kryesisht imitime të artit islamik; në fakt, s’do më hante shumë kohë. E futa librin në çantën e shpinës.

Na mbushi sërish dy gota me boukha. Jashtë, kishte dalë hëna, ajo lante me dritë amfiteatrin, drita e saj ishte shumë më e fortë se drita e fenerëve të rrugës. Vura re që fotografitë e vargjeve Kuranore dhe të galaktikave të varura në murin me bimë ishin ndriçuar nga ca drita të vogla.

–          Keni një shtëpi shumë të bukur…

–          Më janë dashur vite që të bëhej e imja, s’ka qenë ë lehtë, më besoni….Ai u plandos në kolltukun e tij dhe këtë herë, pata përshtypjen, për herë të parë që kur kisha ardhur,  se ra në një përhumbje të plotë: ajo që do më thoshte tani ishte e rëndësishme për të, pa asnjë dyshim. –Në të vërtetë s’më intereson Polloni, e kujt i plas për Pollonin? Por për mua është një lumturi e madhe të jetoj në shtëpinë ku Dominika Ori ka shkruar Historinë e O-së, ose aty ku jetonte dashnori për të cilin ajo e shkroi këtë libër. Është një libër magjepsës, si thoni?

Isha i një mendimi me të. Historia e O-së, në tërësi, më ngjallte krupë: fantazitë që gjeje aty ma shpifnin dhe i tëri ishte një kitch idiot- apartamenti i ishullit Saint Louis, vila private në Faubourg Saint-Germain, sir Stifeni, të gjitha këto të bënin për të vjellë.  Gjithsesi libri përshkohej nga një pasion dhe frymë që të bënin për vete.

–          Është nënshtrimi,- tha ngadalë Redizheja. – Mendimi tronditës  dhe i thjeshtë, i shpalosur më fuqishëm se kurrë, që kulmi i lumturisë njerëzore qëndron në nënshtrimin më absolut. Është një tezë që druaj tua parashtroj miqve të fesë sime, kam frikë se mos u duket blasfemi, por sipas meje, ka një lidhje midis nënshtrimit absolut të gruas ndaj burrit, siç përshkruhet tek Historia e O-së dhe nënshtrimit të burrit ndaj Zotit, siç e parashtron Islami. Siç e shihni,- vazhdoi ai,- islami e pranon botën, e pranon në tërësinë e saj, e pranon ashtu siç është, nëse flasim me fjalët e Niçes. Sipas budizmit, bota është një dukkha– mospërshtatje, vuajtje. Krishterimi shfaq dhe ai ca ngurrime serioze. A nuk përkufizohet Satanai si “princi i botës”? Përkundrazi, për Islamin, krijimi hyjnor është i përsosur, është një kryevepër absolute. Çfarë është Kurani në thelb, përveçse një poemë gjigante mistike lëvdimi? Lëvdimi për Krijuesin dhe nënshtrimi ndaj ligjeve të tij. Zakonisht, atyre që duan të afrohen tek islami, nuk i këshilloj ta fillojnë me leximin e Kuranit, veçse nëse mësojnë arabisht dhe lexojnë tekstin origjinal. I këshilloj më mirë të dëgjojnë këndimin e sureve dhe t’i përsëritin, të ndiejnë frymën, nefesin e tyre. Islami është e vetmja fe që ka ndaluar çfarëdolloj përkthimi për përdorimin liturgjik; sepse Kurani përbëhet i gjithi nga ritmi, rimat, refrenet, asonancat. Ai mbështetet mbi konceptin – koncepti bazë i poezisë- që pleksja e tingëllimit me kuptimin bëjnë të mundur shprehjen e botës.

Bëri sërish një gjest shfajësimi, më dukej pak  i shtirur kur hiqej se predikimi i tij e vinte në siklet, përkundrazi, duhej të ishte shumë i vetëdijshëm për atë ligjëratë që ia kishte mbajtur sa e sa profesorëve që dëshironte t’i bindte; ma do mendja që komenti për refuzimin e përkthimit të Kuranit kishte goditur në shenjë me Zhinjakun, specialistët e letërsisë së Mesjetës e shohin gjithnjë vëngër tjetërsimin e objektit të përkushtimit të tyre në frëngjishte bashkëkohore; por në fund të fundit, të mirë apo të këqij, argumentet e tij mbeteshin të fuqishëm. Ndërsa mendja më punonte tek mënyra e tij e jetesës: një bashkëshorte tek të dyzetat për t’i gatuar, një tjetër pesëmbëdhjetë vjeçe për gjërat e tjera…pa dyshim që kishte dhe një a dy gra të tjera në moshë të ndërmjetme, por s’guxoja t’ia bëja atë pyetje. U ngrita këtë herë i vendosur për t’u larguar, e falënderova për atë pasdite të zjarrtë që kishte zgjatur deri në mbrëmje. Më tha që dhe ai ia kishte kaluar mirë, me pak fjalë, e mbytëm njëri tjetrin me falënderime mirësjelljeje deri sa arritëm tek dera; por të dy ishim të sinqertë .