Nëntë vjetori i pavarësisë/Platforma e presidentit Rugova e domosdoshme për Kosovën dhe për shqiptarët

16.02.2017 17:07:49

Nga Rexhep Kastrati

Për presidentin Rugova, pavarësia e Kosovës ishte kompromisi që ofronin shqiptarët për hir të paqes dhe stabilitetit rajonal, por nuk ishte fjala e fundit e tij dhe e shqiptarëve.

Presidenti Rugova, pavarësinë e Kosovës e shihte si një proces legal dhe mbi bazën e së drejtës kushtetuese dhe politike si një nga njësitë e ish-federatës jugosllave, pra e shihte si një zgjidhje që ishte në përputhje me procesin e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, proces që bëhej mbi parimin e mosndryshimit të kufijve ndërmjet shteteve që do të dilnin gjatë këtij procesi, por jo edhe zgjidhje të natyrshme të një populli të ndarë.

Si proces i shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, kishte fazat e tij, e të cilat po vazhdojnë edhe sot e gjithë ditën, pra si proces nuk ka marr fund. Faza e parë ishte faza e pavarësimit të 4 ish-njësive federale: Sllovenia, Kroacia, Maqedonia dhe Bosnja, e cila pati një fazë tjetër të rregullimit të saj të brendshëm. Faza tjetër ishte pavarësimi i Malit të Zi, dhe pavarësia e Kosovës ishte faza e tretë. Me pavarësimin e Kosovës ishte përmbyllur procesi i pavarësimit të shtatë nga tetë njësitë e ish-federatës jugosllave, por procesi i shpërbërjes po vazhdon me angazhimet për ndryshim kufijsh në rajon, pra me ndryshimin e kufijve të disa shteteve të dala nga ish-Jugosllavia.

Pavarësimi i Kosovës në fakt është fazë e ndërmjeme, pasi që në njërën anë e mbylli fazën e pavarësimit të shumicës së njësive të ish-federatës jugosllave, kurse në anën tjetër këto shtet i futi në një fazë kur po pretendohet të ndryshohen kufijtë e këtyre shteteve.

Presidenti Rugova qysh më 1990 kishte parashikuar gjithë fazat e procesit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, dhe si fazë të fundit kishte parashikuar bashkimin kombëtar. Platforma e presidentit Rugova ishte që të mos u paraprinte fazave të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, por të ndiqte procesin: Kosova nuk  duhej të ishte e para që do të shpallte pavarësinë, por ta bënte këtë fill pasi këtë ta bënte njësia e parë e ish-Jugosllavisë; Kosova të mos përfshihej në projektet e të tjerëve, por të ndiqte rrugën e saj të lirisë dhe të pavarësisë, e cila nuk ishte as thjesht liri nga pushtuesi, por as thjesht si shtet i pavarur, por ishte liri në të gjitha dimensionet politike, filozofike, sociologjike, psikologjike etj., kurse pavarësia ishte pavarësi, në përputhje me koncpetin e lirisë, pra si pavarësi, si mundësi për të gjitha llojet e pavarësisë që nga ato individuale e deri te ato kolektive. Liria dhe pavarësia nënkuptonin të drejtën dhe mundësinë për të marrë vendime të plota dhe sovrane për të ndrtuar raporte të brendshme dhe të jashtme në përputhje me vullnetin individual dhe kolektiv, duke mos përjashtuar, por duke e përfshirë edhe lirinë dhe sovranitetin vendimmarrës për bashkim kombëtar.

Sipas platformës së presidentit Rugova, Kosova dhe shqiptarët lirinë dhe pavarësinë do të duhej ta realizonin në të gjitha shtetet e dala nga ish-Jugosllavia e ku ishin në territoret e tyre: Kosovë – nëpërmjet shtetit të pavarur, në Maqedoni, Kosovë Lindore me lirinë dhe pavarësinë e brendshme nëpërmjet autonomive territoriale, dhe në Mal të Zi nëpërmjet një statusi special. Si të këtilla do të duhej të bëheshin pjesë të pocesit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.

Së këndejmi presidneti Rguova e dinte se pavarësimi i Kosovës do të realizohej  në fund të pavarësimit të shumicës së njësive të ish-Jugosllavisë, prandaj edhe ka kërkuar një fazë protektorati ndërkombëtar që ky proces të bëhet me sa më pak dhimbje dhe me garanca ndërkombëtare për sigurinë e qytetarëve të Kosovës, si dhe për të garantuar sigurinë e jashtme.

Presidenti Rugova, sikurse që nuk kishte pranuar t’u paraprinte fazave të tjera, edhe për fazën aktuale nuk kishte pranuar që shqiptarët të prinin, por të pasonin të tjerët. Prandaj, ai ka thënë se nëse do të ketë bashkim të ndonjë pjesë shteti të dalë nga ish-Jugosllavia, me ndonjë shtet tjetër, atëherë edhe shqiptarët do të kërkojnë të bashkohen me shtetin shqiptar.

Pra, presidenti Rugova ka këshilluar dhe kjo këshillë është aktuale më shumë se kurrë, që Kosova dhe shqiptarët duhet të presin që shtete të tjera të nisin ndryshimin e kufjve mes tyre, kurse Kosova të pasojë, por jo që Kosova ta nisë këtë fazë.

Në nëntë vjetorin e pavarësisë së saj, Kosova është pikërisht në këtë fazë: Serbia, Kroacia dhe Maqedonia janë tepër të interesuara për ndryshim kufijsh në rajon, përaktësisht të ndajnë Bosnjën, Kosovën dhe Maqedoninë. Sipas platformës së presidentit Rugova, Kosova nuk duhet të bjerë nëkurth dhe të kërkojë e para ndryshimin e kufijve në rajon, por për këtë të presë që së pari ta nisin serbët apo kroatët.

Në anën tjetër, Serbia dhe Kroacia janë duke bërë gjithçka që të nxisin Kosovën që të kërkojë ndryshim kufijsh dhe të pasohen nga ato. Serbia dhe Kroacia duan që përgjegjësinë për thyerjen e parimeve ndrëkombëtare mbi të cilët u kryen fazat e gjertnaishme të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë t’ia lënë Kosovës, ashtu siç i ishin lënë Serbisë në fazën e parë, kur Serbia synont ndryshmin e kufijve edhe me dhunë.

Edhe pse në Serbi ka platforma të ndryshme për nndryshimin e kufjve në rajon, pra edhe ndarjen e Kosovës, megjithatë, platforma e Boris Tadiqit, pjesë e të cilës është edhe Dragana Trifkoviq,  njohur si spiune e FSB-së ruse, është platforma që është marrë nga sekta okulte e Albinit. Kjo platformë lejohet dhe pranohet bashkimi i Kosovës me shtetin shqiptar, me kusht që edhe Serbia të marrë një pjesë të Kosovës. Kjo platformë ndërkaq nuk e përfshinë edhe Kosovën Lindore, as shqiptarët në Maqedoni e Mal të Zi.

Kjo platformë është e kundërt me platformën e presidentit Rugova, dhe si e tillë është platforma më e rrezikshme për Kosovën dhe shqiptarët.

Në nëntë vjetorin e pavarësisë, tashmë hapur po diskutohen edhe opcionet për ndarje të Kosovës, qoftë edhe si shkëmbim territoresh, dhe për këtë ka anagzhime të shumta, deri në angazhime luftënxitëse që do të legjitimonin aneksimin e veriut të Kosovës sipas modelit të aneksimit të Krimesë nga Rusia.

Prandaj, në nëntë vjetorin e pavarësisë, Kosova e ka më të rëndësishme dhe më të domosdoshme se kurrë që të zbatojë trashëgiminë politiko-institucionale dhe kombëtare të presidentit Rugova: të mos pranojë në asnjë mënyrë të paraprijë procesin e ndryshimit të kufijve në rajon, por të forcohet si shtet dhe të jetë në gjendje ta realizojë fazën përfundimtare të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, në mënyrë më të drejtë dhe më të plotë.

Një shtet i fortë i Kosovës, do të bëjë të mundur që edhe pozita e shqiptarëve në territoret e tyre në Maqedoni, në Kosovë Lindore dhe në Mal të Zi të jetë më e fortë dhe më e volitshme.

Një shtet shqiptar i fortë, do të bëjë që të jetë edhe një shtet i Kosovës më i fortë dhe bashkarisht do të bëjnë që shqiptarët të bëhen faktor kyç dhe kryesor për paqen dhe stabilitetin në rajon, e së këndejmi edhe për vazhdimësinë e proceseve në rajon, pra edhe të fazës së fundit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.