Neootomanizmi i rrezikshëm nga i cili duhet të distancohen shqiptarët

04.04.2018 20:58:43
Nga Melihate Tërmkolli
Kidnapimi dhe dëbimi i shtetasve turq nga Kosova, i bërë nga institucionet shtetërore të Kosovës, shënon rastin më eklatant të shkeljes së shumë normave njëkohësisht, normave kushtetuese-ligjore të Kosovës, normave morale, normave të traditave më të mira shqiptare dhe normave dhe vlerave perëndimore demokratike edhe në planin ndërkombëtar. Pasojat nga ky veprim janë të mëdha, edhe për ata që u dëbuan por në veҁanti për ne, për shtetin dhe qytetarët tanë. Mënyra e kidnapimit dhe deportimit të shtetasve turq me leje qëndrimi në Kosovë, është e tmerrshme dhe tepër frikësuese për qytetarët e vendit tanë. Nuk ka asnjë alibi që e arsyeton shkeljen e kushtetutës, ligjeve të vendit tonë dhe të drejtës ndërkombëtare, për mënyrën e dëbimit të shtetasve turq dhe për arsyet të cilat nuk u bënë të ditura asnjëherë. Përtej fjalëve e fjalamanisë vend e paved, Qeveria e Kosovës dhe Kuvendi urgjentisht duhet të kërkojë hetim të detajuar dhe të hartojnë raport, gjithsesi me llogaridhënie për të gjithë shkelësit e Kushtetutës dhe të gjitha pasojat që lidhen me të. Në mënyrë të veҁantë duhet të sqarohet kidnapimi dhe mënyra e dëbimit të shtetasve turq nga Kosova, arsyet e dëbimit ( veprimtaria e qytetarëve turq të dëbuar) si dhe roli i shërbimit të fshehtë turk dhe implikimi i tij në këtë rast. Mbi të gjitha është e rëndësishme të trajtohet funksionimi i institucioneve tona shtetërore dhe roli i drejtuesve të këtyre institucioneve në raport me ҁështjen. Përndryshe, raste të tilla mund të përsëriten. Ky nuk është rasti për ndarjen e shqiptarëve në “gylenistë” e përkrahës të Presidentit të Turqisë, Erdoganit. Është përtej ҁdo mendjeje normale që pas turpit dhe trishtimit, tani shqiptarët të ndahen në përkrahës të njërit apo tjetrit, deri na atë shkallë, madje, sa të tallet me ne edhe Presidenti i Serbisë, Vuqiҁ. Ai i ka arsyet e veta pse tallet me ne dhe pse ne i japim shkas për një gjë të tillë, por arsyet tona për ta ndërprerë një debat të tillë për përkrahje të njërit apo tjetrit janë thellësisht të domosdoshme, për interesin e vendit tonë dhe qytetarëve tanë. Në fakt, tani është rasti më i mirë që Kosova dhe shqiptarët ta qartësojnë rrugën e tyre në raport me Turqinë në drejtim të ndërtimit të mardhënjeve të mira ndërshtetërore dhe shkëputjen nga kultivimi dhe agresioni i frymës neootomane. Kjo frymë, e sjellë në Kosovë, edhe nga Erdogani edhe nga Gyleni, definitivisht jo veҁ duhet të luftohet por edhe të ndalet. Edhe “erdoganistë” edhe “gylenistë”, pa ndalë për shumë vite e tani edhe dekada po nxisin e promovojnë neootomanizëm përmes formave nga më të ndryshmet. Kjo frymë dhe ky rrjet është futur kudo në Kosovë, duke filluar nga “ndihmat sociale”, mandej në arsim, në shëndetësi e deri te gjigantët ekonomik, me pasojat më të rënda në politikë dhe institucionet tona shtetërore. Ky është rreziku i madh që e ka përfshirë Kosovën kohë të gjatë dhe për fat të keq, me pranimin pa rezervë nga shumë zyrtarë qeveritarë të djeshëm e të sotëm e me koketim të të tjerëve, pra me përfshirjen e pothuajse të gjithëve. Të gjitha subjektet politike, për një votë apo për ndonjë arsye tjetër, i kanë hapë shumë rrugë mbjelljes së frymës neootomane, në emër të mardhënjeve me Turqinë dhe një “vllazërie’ të frikshme që nuk ka ekzistuar kurrë dhe nuk mund të ekzistojë asnjëherë. E kombinuar kjo edhe me politizimin e fesë për po të njëjtat arsye dhe religjionizimin e politikës, ka sjellë në situatën madje edhe të shtruarjes së dilemave për identitetin kombëtar dhe kulturën tonë kombëtare. Në anën tjetër, duhet ta kemi të qartë se mardhënjet e mira e miqësore me Turqinë janë interes shumë i rëndësishëm i vendit tonë ashtu siҁ janë interes shumë i madh edhe i Turqisë. Prandaj në funksion të interesave ndërshtetërore, askujt nuk i lejohet të sillet ndryshe dhe në kundërshtim me to. Presidentit të Turqisë duhet t’i bëhen të qartë kufijtë e reagimit dhe vija e kuqe, ku nuk mund të kalojë. Identiteti ynë kombëtar dhe orientimi e përcaktimi ynë, janë të qarta në drejtim të integrimeve evropiane perëndimore dhe mardhënje të veҁanta me SHBA.